“Bota shqiptare s’ka me e pas fatin me e njoft s’dyti herë në historinë e vet një personalitet të këtillë, paqësor, vizionar dhe dijeshumë. Mirënjohje për krejtçka skaliti në memuarin e gjithëshqiptarisë ky burr i madh”, e ka përshkruar Albert Vataj ish presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, kanë bërë homazhe ditën e sotme tek varri i presidentit historik Ibrahim Rugova, me rastin e 15-vjetorit të vdekjes së tij.
Presidentja Osmani është shprehur para mediave për presidentin Rugova, duke thënë se ai ishte njeriu që i bëri bashkë shqiptarët rreth idesë dhe kauzës për liri dhe pavarësi.
“Jemi këtu për ta nderuar kujtimin e presidentit historik, njeriut që i bëri bashkë shqiptarët rreth idesë dhe kauzës së lirisë dhe pavarësisë, i përjetshëm qoftë kujtimi për të. Rruga që ai ndërtoi përgjithmonë do të mbesë si udhërrëfyes për ne”, tha ajo.
Gjithashtu kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka folur para mikrofonëve pas homazheve për presidentin Rugova: “Erdhëm që të vendosim një kurorë me lule të freskëta te varri i tij. Presidentit të parë të Kosovës pas çlirimit të vendit tonë, duke kujtuar insistimin e tij politik, përkushtimin e tij institucional, qetësinë dhe durimin njerëzor”.
Ndërkaq, Kurti nuk ka shmangur pyetjen në lidhje me vendimin e KQZ-së, që ai është përjashtuar për të kandiduar për deputet. Kurti ka sqaruar se është bartës i listës zgjedhore, dhe se do të respektojë dhe përfillë Kushtetutën.
“Ne kemi dorëzuar listën tonë ashtu siç është kërkuar dhe ajo është lista jonë. Para një viti pati qenë në Kosovë ish-ambasadori Grenell për një darkë me ish-presidentin, por ai është vit i kaluar. Mendoj që institucionet e shtetit duhet të azhurnohen në rrethana të reja, ku jemi në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit. Unë jam bartës i listës, i cili respekton dhe përfill Kushtetutën dhe ligjet që mbrojnë të drejtat e gjithsecilit prej nesh”, tha ai.