Ardit Gjebrea është një showman që kushton shtrenjtë dhe kjo ka kohë që është vërtetuar. Sado popullor të duket si tip apo në emisionin e përjavshëm të së dielës në Klan, ata që e njohin e dinë mirë se kantautori e menaxhon mirë profilin e vet publik dhe se nuk është nga ata që shitet lirë. Përkundrazi! Kështu ka ndodhur gjithmonë e kështu do të ndodhë edhe në spektaklin që duket se qeveria shqiptare për përgatit për të mbuluar diellin me shoshë në stadiumin tonë kombëtar që do të quhet “Air Albania”.
Thuhet se për të kënduar 3 këngë në ceremoninë e hapjes së stadiumit Arena Kombëtare mbrëmjen e 17 nëntorit, Ardit Gjebrea ka kërkuar plot 180 mijë euro shpërblim. Fjalët qarkullojnë si thashethem dhe duket vërtetë çmenduri që një këngëar shqiptar të paguhet kaq shumë kur pak kilometra më larg, tek zona e Astirit shqiptarët e varfër zhdëpen në dru nga polica dhe nxirren me katër rrugëve me gra e fëmijë.
Por mos u çudisni! Spektakli i shëmtuar shqiptar kështu funksionon. Dhe mos e mendoni se kjo është hera e parë që Arditi e shet veten kaq shtrenjtë. Mos mendoni se ky është thjeshtë thashethem pse ligjërisht një pagesë e tillë nuk është e mundur të bëhet. Ka formula e formula për të zhvatur shtetin. Mos kujtoni se për 8 minuta interpretim në llogarinë personale të Ardit Gjebreas do të hidhen 180 mijë euro. Jo, jo! Kjo vërtet është qeveria e spektalit dhe propagandës, por nuk e shkelin ligjin kaq hapur. Të paktën jo në këto nivele pagesash. Formula që Arditi dhe të mëdhenjtë kanë rënë dakort është e thjeshtë dhe e pastër. Arditi këndon, si shpërblim institucionet shtetërore të hyjnë si sponsor në festivalin e tij privat, “Kënga Magjike”, me plot 180 mijë euro ose më shumë.
E kuptuat tani si do të paguhet Arditi? Me sponsor.
Mos u çudisni! Ka ndodhur edhe më parë. E ka shpikur Lali Eri këtë formulë e madje nuk i hyri gjemb në këmbë. A e mbani mend shkurtin e vitit të kaluar kur Arditi u shfaq përkrah kryetarit makut të bashkisë së Tiranës, duke mbjellë një pemë e duke u përqafuar të lumtur me njëri- tjetrin?
A ju kujtohet njoftimi plot pathos për shtyp i zyrës së propagandës së Erionit?
E pra për atë foto edhe atëherë doli një shifër që Gjebrea e kishte kërkuar si shpërblim dhe bëhej fjalë për plot 80 mijë dollarë. 80 mijë dollarë për një spektakël po aq të shëmtuar sa ky që po gatuhet aktualisht. Ama edhe atëherë Arditi nuk është se i mori paratë në zarf dhe iku. Jo, jo! U mor vesh në edicionin e “Këngës Magjike” se si i kishte marrë, kur nuk la orë e sekond pa përmendur Erionin dhe bashkinë e Tiranës si sponsor i festivalit të tij.
Ndoshta kështu do të ndodhë edhe këtij vit. 180 mijë eurot do t’i shkojnë festivalit të Arditit ose ndoshta emisionit të tij të fundjavës në Klan. Fundja jo më kot kryeministri Rama shpiku fjalën më të re në zhargonin e rrugës KÇK. Sektori “Kap ça të kapësh” është një sektor që Rama dhe të vetët e njohin shumë mirë./Pamfleti