Kulture 3 Shkurt 2019, 08:49

2 vite pa Dritëro Agollin, kujtime dhe vlerësime për mjeshtrin e fjalë shqipe

Shkruar nga Pamfleti
2 vite pa Dritëro Agollin, kujtime dhe vlerësime për mjeshtrin e

2 vite pa Dritëro Agollin, kujtime dhe vlerësime për mjeshtrin e fjalë shqipe

Një ditë dimri, rreth 37 vjet më parë, kur Dritëroi sapo kishte hyrë në gjysmën e dytë të shekullit të jetës së tij, shkova të prisja latën e druve në njësinë komunale të lagjes.

Shkruan  Emil Lafe

– Unë të njoh! – më tha faturistja, kur iu përgjigja pyetjes si e kam emrin.

– Mos ndjek gjë me korrespondencë degën e gjuhës shqipe në Universitet? – e pyeta.

– Jo, – ma ktheu, – po ti ke redaktuar romanin “Trëndafil në gotë” të Dritëro Agollit.

Dhe me të vërtetë “Trëndafili në gotë” qëndronte i hapur mbi tryezën e faturistes, si dëshmi e dashurisë së njerëzve të thjeshtë për letërsinë dhe për shkrimtarët e mirë. Faturistja e druve kishte qëlluar një nga ato lexueset e kujdesshme, që i lexojnë librat faqe për faqe e radhë për radhë dhe nuk i kishte shpëtuar as emri i redaktorit. Ma merr mendja se në përfytyrimin e saj puna ime si redaktor do t’i ketë kaluar shumë përmasat e së vërtetës, por me atë rast mora vesh se ne gjuhëtarët bëhemi të njohur më fort kur u kryejmë ndonjë shërbim të vogël shkrimtarëve. Kjo ndodhi më jep dorë të pohoj, bashkë me të tjerë, se krijuesit e vërtetë të gjuhëve letrare dhe të normës letrare gjuhësore janë shkrimtarët, është vepra tyre, që e bën një popull të fitojë “shijen e leximit”, siç thoshte Holger Pederseni për Naim Frashërin (“Kryeveprat e tij në prozë dhe poezi u kanë dhënë shijen e leximit bashkatdhetarëve të vet dhe kanë nxitur të tjerët ta ndjekin këtë shembull të lavdishëm” (1), është vepra tyre që formon “ndërgjegjen gjuhësore” të kombit, siç thotë studiuesi ynë i Naimit Jorgo Bulo (2). Gjuhëtarët dhe shkenca e gjuhësisë nuk janë të plotfuqishëm për të bërë ç’të duan ata me gjuhën. Gjuhëtarët hartojnë atë gramatikë e atë drejtshkrim që në vija të trasha e kanë vendosur shkrimtarët në veprat e tyre. Gjuhëtarët diçka lëmojnë e rregullojnë me metodat dhe arsyetimet e tyre, që t’i bëjnë shkrimtarët më të afërt njëri me tjetrin dhe me lexuesin.

Për të alfabetizuar popujt pa tradita letrare, pa letërsi, krijohen komisione gjuhëtarësh që studiojnë dialektet e ndryshme të tyre dhe u hartojnë një gramatikë e një drejtshkrim, që të jetë sa më i përshtatshëm për t’u përvetësuar e për t’u zbatuar nga të gjithë. Kjo teori, d.m.th. teoria për të krijuar një gjuhë letrare duke nxjerrë, si të thuash, një emërues sa më të përbashkët të dialekteve, ose teoria e “gjithëpërfshirjes” (siç e quajnë disa sot këtu te ne), në rastin e shqipes ka dalë e pafrytshme. Çështja gjuhës letrare shqipe është zgjidhur duke u mbështetur në njërin nga variantet letrare organike, që ka pasur epërsi reale lëvrimi gjatë periudhës së zgjimit kombëtar dhe më pas. Unë nuk besoj se sikur në krye të punëve të Shqipërisë pas 1944-ës të kishte ardhur Mithat Frashëri me Abaz Ermenjin e të tjerë, çështja gjuhësore do të ishte zgjidhur ndryshe. E nisa kështu fjalën time, se përpjekjet e mbrapshta për ta përbaltur gjuhën letrare të sotme si imponim arbitrar të diktaturës jo vetëm nuk kanë reshtur, por kanë marrë forma më të stërholluara, duke rrahur të zhbëhet Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (1968) dhe Kongresi i Drejtshkrimit (1972) dhe të sajohet subjektivisht një lloj gjuhe kompromisesh komisioni, as mish as peshk ose edhe mish edhe peshk, si fazë e ndërmjetme për zhvillime të mëtejme më rrënjësore.

Dritëroi erdhi në letërsinë shqipe, siç e ka shkruar vetë, me torbën e tij të mbushur me baltë nga Devolli. Por që kjo baltë e mirë e Devollit të bëhet letërsi, duhet dhe ajo “fryma e shenjtë” ose “demoni i krijimit”, që kam përshtypjen sikur te Dritëroi ka zbritur nga malet e Dangëllisë nëpërmjet pllajës së Kolonjës. Poezia e Dritëroit lind natyrshëm dhe e shëndetshme, pa shtërzime; ai e zotëron mirë artin e lakmueshëm për të bërë vargje të rrjedhshme, që hyjnë në zemër, që mësohen e mbahen mend. Siç e përmend poeti dhe studiuesi Agim Vinca (3), Dritëroi poet sikur e nguliti mirë në mendje atë porosinë e këngëtarit të verbër Vehip Qorri, në vitet kur ishte nxënës gjimnazi në Gjirokastër:

O Dritor, more Dritor,

Mos i bëj vjershat me zor…

Dritëroi është poet “që bisedon ngrohtë me njerëzit, që flet me ta thjesht e bukur, duke i dhënë poezisë tonin e një bisede të përzemërt e intime” (4). Jo vetëm poezia, po edhe proza e D. Agollit, dallohen për një përpunim mjeshtëror të gjuhës së gjallë të njerëzve të thjeshtë. Te veprat e Dritëroit të bën për vete pasuria, gjallëria, larmia e ngjyrave dhe e aromave të ligjërimit popullor. Mbaj mend se kur lexova “Zhurmën e erërave të dikurshme” (1964), vepra e parë në prozë e shkrimtarit, më tërhoqi aq shumë edhe gjuha e tregimeve dhe e personazheve të tyre. Me këtë mjeshtëri të tregimit ai vazhdoi edhe në veprat e tjera më pas. Nuk besoj se ka ndonjë që e ka lënë në mes një libër të Dritëroit.

Unë e dija që shkrimtari ynë devolli ka lexues dhe miq e dashamirë në Kosovë, po, t’ju them të drejtën, u befasova në panairin e sivjetmë të librit, kur u paraqit një libër prej 360 faqesh i përgatitur nga zoti Merxhan Avdyli, një përmbledhje studimesh të autorëve nga Kosova për veprën letrare të Dritëro Agollit. Ka kohë që një gazetë në Prishtinë jep e merr t’u mbushë mendjen njerëzve se kjo shqipe letrare që shkruan Dritëroi e të tjerë, është si një bimë që nuk zë, që nuk bëhet në truallin e Kosovës, prandaj do modifikuar me doemos, do krijuar një gjuhë OMGj në laborator. Po ja që ky libër provon të kundërtën: vepra e Dritëroit jo vetëm lexohet, po edhe shijohet mirë në Kosovë, pikërisht se është një gjuhë e gjallë, që mbështetet në traditën dhe e shpie përpara, nuk është një OMGj.

Balta dhe fjala e lashtë shqipe e Devollit

Përmenda më lart atë torbën me baltë nga Devolli që ka sjellë Dritëroi në letërsinë shqipe dhe në gjuhën e saj. Po ai nuk e ka mbushur torbën kuturu. Si filolog i mirë, ka ditur të zgjedhë e të përzgjedhë. Dhe zgjedhja e parë që bëjnë shkrimtarët kur marrin me vete baltën e gurët e vendlindjes, është që të lënë mënjanë ca gjëra tepër të veçanta, që mund të mos u bien mirë në vesh të tjerëve. P.sh. devollinjtë kanë thënë (mbase ca e ca thonë edhe sot): e shçunë (e shtunë), dë grazhdit (në grazhd), e ndejmë bë (mbë) diellt, lajem e krijem ose lajesha e krijesha (lahem e krihem, lahesha e krihesha), po Dritëroi nuk i ka vënë të flasin kështu devollinjtë e tij, se shkrimtari e di që duhet të synojë nga më e përbashkëta. Në gjuhën e letërsisë ekzotizmat krahinorë nuk kanë vlerë siç kanë në një ekspozitë veshjesh popullore. Vetë Dritëroi merret vesh që i përket një hapësire dialektore të caktuar. Në veprat e para ka plot forma, si: ecnja, flisnja, suallë, duallë, muarëm, u dehmë, e pabesuarshme etj., por që kur vuri nënshkrimin si delegat i Kongresit të Drejtshkrimit, si sot 34 vjet më parë, u ka lënë dorë të lirë redaktorëve të tij që t’ia ndreqin sipas rregullave, paçka se ashtu mbase i vjen më mbarë të shkruajë. Ai e di se norma letrare është në të vërtetë një madhësi ideale drejt së cilës synojmë, dhe dikush i afrohet më shumë e dikush më pak, po nuk e arrijmë dot, se njerëzit janë qenie shoqërore, nuk i prodhon fabrika.

A është Dritëroi nga ata shkrimtarë që i rrinë gjuhës me daltë e limë në dorë? Nuk ta jep atë përshtypje. Mua më duket se ai ka një aftësi tjetër. Siç thotë Gi dë Mopasani (Guy de Maupassant), “cilado që të jetë ajo që kërkojmë të themi, s’ka veçse një emër për ta emërtuar, një folje për t’i dhënë jetë e një mbiemër për ta cilësuar.” (5) Pena e Dritëroit ka dhuntinë magjike që ta ndjellë lehtë e pa mundim fjalën e duhur, kuptimisht e stilistikisht, dhe të mos kënaqet me të përafërtën. Kjo është fjala që gdhend gurin (siç e ka quajtur ai vetë një përmbledhje të tijën poetike), fjala që gdhend në kujtesën tonë shkrimtarësinë e Dritëroit. Dhe kjo mendoj se e ka një shpjegim, që më ka ardhur ndër mend kur lexoja “Zhurmën e erërave të dikurshme” e sidomos tregimin “Lamtumirë, kapedani im!”. M’u kujtua atëherë ajo që ka shkruar Maksim Gorki për veten, se që fëmijë ishte i mbushur plot e përplot me rrëfenjat e gjyshes, me fjalët e shprehjet e saj, ashtu siç është plot e përplot zgjoi me mjaltë (“kak ulej mjodom”). Dhe Dritëroi, do të thosha, është plot e përplot me mjaltin e gjuhës shqipe, me fjalët e shprehjet e vendlindjes, të prindërve, të njerëzve të tij të afërt e të shumë e shumë të tjerëve që ka njohur në jetë e që i ka vërejtur si flasin, si shprehen, si tregojnë, dhe ka përkryer kështu hap pas hapi artin e vështirë të narracionit.

Dritëroi shkrimtar nuk dallohet si krijues fjalësh të reja. Kolegu im Miço Samara, në një artikull “Shkrimtari dhe gjuha” (6), që e ka shkruar si devolliu për devollinë, pak gjë ka arritur të gjejë. Për ato gjëra që shkruan Dritëroi, rrallë e tek e ka ndier nevojën të krijojë fjalë të reja, si p.sh. kur Cute Babulja në monologun e tij flet për “hundëthyerjet” që ndodhnin dikur nëpër hanet, ose për diplomatët e sotëm “punëpazgjidhur”. Dritëroit përgjithësisht i mjaftojnë ato fjalë që tashmë janë, veçse duhen përdorur me vend, sipas kuptimit të përpiktë që kanë. Dhe që t’u japë një mësim atyre që nuk e dinë këtë, Dritëroi e bën Bamkën e “Arkës së Djallit” të shpikë dhe një fjalë të re, kur përshkruan këtë skenë në fletoren e tij:

“Vetura ndali dhe nga dyert e saj dolën dy veta, përveç shoferit. Njëri nga ata ishte Cute Babulja, i veshur me kostum të zi dhe i kokosur me një borsalinë shumë moderne. Kjo borsalinë u bë shkak që unë të krijoj fjalën “kokosur”, që do të thotë “të vësh në kokë kapele”, siç themi “veshur” dhe “mbathur”. E krijova këtë fjalë se shkrimtarët fjalën “veshur” e përdorin edhe për “mbathur” edhe për mbajtjen e kapelës në kokë: si vesh këpucët, vesh kapelën e të tjera.” (7)

Dritëroi i përket brezit të shkrimtarëve që hoqi dorë nga përdorimi i huazimeve krahinore për tipizimin e mjediseve e të personazheve. Më parë shkrimtarët fusnin në punë gjithfarë sllavizmash e greqizmash krahinorë për të tipizuar personazhin ose për të dhënë ngjyresën vendore (8). Por e kuptuan vetë se kjo u bënte dëm veprave të tyre dhe gjuhës shqipe. Kështu, vetë Mitrush Kuteli, kur ribotoi tregimet e dikurshme, i krehu ca nga këto fjalë dhe “Xha Brahon e Shkumbanicës” e bëri “Xha Brahua i Shkumbanores”. Dritëroi është treguar shumë i kursyer me sllavizmat e Devollit. Huazime krahinore si sllavizmat bubrek (veshkë), butur (rrufë), esh (iriq), gollomesh (lakuriq), korminë (plëndës), piavicë (shushujë) etj., ose greqizmat kumbisem (mbështetem), potis (ujit; i jap ujë një kafshe), silloisem (mendoj thellë për diçka, bluaj në mendje një çështje), nasqiris (vë në rregull, në vendin e duhur sendet e shtëpisë), ngalas (përqafoj) e të tjera si këto nuk shërbejnë më për tipizime personazhesh e mjedisesh, po kanë zbritur në regjistrin e mjeteve humoristike të skeçeve të estradës për të tipizuar, edhe me anë të fjalorit arkaik, njerëz që kanë mbetur prapa nga bota. Pak më ndryshe është puna me turqizmat. Disa nga personazhet e Dritëroit janë të tillë, që u shkojnë ca turqizma. Nja dy turqizma si malum (është e ditur, siç dihet), qibër, Dritëroi i ka të vetat. Po edhe këto po dalin nga gjuha e letërsisë. (9)

Nuk mund të lë pa përmendur edhe një herë atë dialogun e njohur të Demkës me Zenepen, që Dritëroi sikur e ka shkruar me porosi për ne gjuhëtarët. E kemi përdorur shumë herë në kumtesat tona që të tregojmë me një shembull domethënës rrezikun e burokratizimit të gjuhës deri në bisedat familjare:

     (Zenepja, duke hedhur në pjata gjellën, thotë:)

– Demkë, ti ke kohë që nuk ke lexuar asnjë libër….

– Në këtë drejtim ke të drejtë. Çështja është se konditat e të lexuarit më janë vështirësuar, – them unë.

Ajo ngrin në këmbë. Fjalët e mia e habitën.

– Demkë – thotë ajo, – ti harrove të flasësh!

Unë qesh:

– Ti sot po më habit.

– Nga të mos habitem? Ti thua “në këtë drejtim ke të drejtë”. Ti nuk ke folur kështu më parë…

Unë vij në vete. Pa e kuptuar edhe vetë, paskam folur me gruan me gjuhën e raporteve që shkruaj…

Në 85-vjetorin e lindjes janë botuar nëpër gazeta shumë fotografi të Dritëroit. Duke parë portretin e tij të fisnikëruar nga vitet që i rëndojnë mbi shpinë dhe sytë e tij që duket sikur më shumë vështrojnë brenda vetes sesa jashtë, më bëhet sikur dëgjoj ato vargjet e një poeti popullor kolonjar:

Në kohë të pleqërisë,

Më zunë halle të rënda,

Për sebep të Shqipërisë, ….

Hallet e rënda i bëjnë shkrimtarët të krijojnë vepra të mëdha. Unë i uroj shëndet e jetë të gjatë jubilarit tonë të nderuar, që të hedhë në kartë sa më shumë nga ato që bluan e përbluan në mokrat e shqetësimeve e të përjetimeve të tij të thella si shkrimtar.                            

 Shënimet:

(1) Holger Pedersen, “Asnjë gjuhë nuk mund të lulëzojë pa një letërsi”. – Gjuha jonë 20/2000, nr. 3-4, f. 48.

(2) Jorgo Bulo, Magjia dhe magjistarët e fjalës. Shtëpia botuese “Dituria”. Tiranë, 1998, f. 15.

(3) Agim Vinca, “Dritero Agolli ose bukuria e thjeshtësisë”, në: Merxhan Avdyli, Studime për Agollin në Kosovë (Përmbledhje Studimesh të autorëve nga Kosova për veprën letrare të Dritero Agollit. Argeta LMG, Tiranë, 2006, f. 72.

(4) Po aty, f. 73.

(5) Mahir Domi, “Mendime dhe vërejtje për gjuhën në prozën tonë artistike”, në: Nëndori, 1963, nr. 2, f. 132; Norma letrare kombëtare dhe kultura e gjuhës. Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Tiranë, 1972, f. 323.

(6) Gazeta “Devolli”. Organ i Shoqatës atdhetare-kulturore “Devolli”. Viti IX, nr. 5 (53), tetor 2006.

(7) Dritëro Agolli, Arka e Djallit (Roman). Botimet “Dritëro”. Tiranë, 1997, f. 142.

(8) Khs. për këtë edhe referatin tonë në: Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë. – në: Materiale të Konferencës shkencore të mbajtur në Tiranë më 7-8 dhjetor 1984. Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Tiranë, 1988, f. 105 v.

(9) Te Fjalori i orientalizmave, që Tahir Dizdari e hartoi nga dashuria për shqipen e jo nga adhurimi për turqishten, autori ka mbledhur shumë fjalë e shprehje shqipe, me po ato kuptime e vlera stilistike, p.sh., për turqizmin zavall shqipja ka një varg fjalësh shumë të përshtatshme dhe shprehëse, si: i mjeri, i gjori, i ngrati, i shkreti, lumëziu, krahëthati, ditëziu, qyqari, orëligu, rrënjëdali.

Emil Lafe

D. Agolli

Kali dhe gomari
-Përrallë-

Kalonin në një shteg të ngushtë mali
Gomari para, pas gomarit kali.

Të dy me thasë të ngarkuar mirë
Nga vapa të munduar, të djersirë.

Fshatari donte shpejt në fshat të arrinte
Dhe kalit vitheve me shkop i binte.

Po kali më në fund durimin humbi,
E ngriti bishtin dhe samarin tundi:

“Mbaj dorën, se ta hedh përdhe samarin!
Ti para meje pse ma nxjerr gomarin?

E ku të vete vallë, unë i ngrati,
Kur rrugën ma ka zënë veshëgjati?

Përpara nxirrmë mua të mos vuash,
Pastaj rrihe gomarin sa të duash!”

1984

Kulture