Kosova28 Tetor 2022, 19:42

Kosovë, buxheti i ri do të jetë 3.2 miliardë euro

Shkruar nga Pamfleti
Kosovë, buxheti i ri do të jetë 3.2 miliardë euro

Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2023 do të jetë tre miliardë e 212 milionë euro.

“Vit të suksesshëm në histori, për të hyrat”, e ka cilësuar kryeministri Albin Kurti përformancën financiare gjatë këtij viti.

Më shumë detaje për projektligjin e buxhetit ka dhënë ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ai ka thënë se nga ky buxhet, rreth 750 milionë euro do të jenë për paga e mëditje, ndërsa 493 milionë për mallra e shpenzime.

E për Ministrinë e Mbrojtjes do të ndahen 123 milionë euro, që nënkuton 21 milionë euro më shumë.

Ndërkaq rritje buxheti do të ketë edhe për shëndetësinë, ku në vitin 2023 do të ndahen 296 milionë euro.

Po ashtu do të ketë buxhet që të shtohen edhe 240 pozita për inspektorë.

Pas kësaj, Kurti ka folur edhe për terminalet doganore.

“Kthimi i terminaleve doganore shtetërore ishte gjithashtu njëri nga premtimet tona, materializimin e së cilit e filluam në vitin që lamë pas me hapjen e terminalit doganor shtetëror në Mitrovicë në hapësirat e ndërmarrjes publike Trepça, e në këtë vit me terminalin doganor shtetëror në Durrës e në Podujevë. Kësisoj do të vazhdojmë edhe me terminalin në aeroportin e Prishtinës dhe në Vermicë, si dhe me terminalet e tjera, për funksionalizimin e të cilave kemi ndarë 6 milionë euro”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati ka folur edhe për rimëkëmbjen ekonnomikë për shkak të inflacionit.

“Ekonomia e Kosovës ka treguar rezistencë të mjaftueshme sa i përket përballueshmërisë me kriza. Deri në fund të vitit parashikojmë të kemi 3.8 deri në 4.1 për qind rritje ekonomike. Pritet një dinamikë e përshpejtuar e ekzekutimit të investimeve publike për shkak të zbatimit të kontratave në pritje që mundësohen me ligjin për mbështetjen e punëve publike. Eksporti i mallrave pritet të vazhdojë në trendin rritës të deritanishëm. Projeksionet mbi të hyrat për vitin 2023 pritet të arrijnë 2 miliard e 840 milionë euro”, ka thënë Murati.

Për herë të parë Kosova do të ketë buxhet mbi 3 miliardë euro.

Prishtine

Kosova