Aktualitet16 Korrik 2019, 21:20

98 studentë nuk përfituan nga përgjysmimi i tarifave në Korçë e Elbasan, Ministria e Arsimit hesht

Shkruar nga Pamfleti
98 studentë nuk përfituan nga përgjysmimi i tarifave në

Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, 74 studente nuk kanë përfituar nga ulja e tarifave studentore pasi kanë dorëzuar dokumentacionin me vonesë. Universiteti ngre supet duke u thënë se Ministria nuk ka kthyer një përgjigje konkrete ndaj Bordi i Administrimit ka vendosur për “Jo”,pasi në të kundërt do të shkelej ligji. Ministria, pas interesimit të Fiksit, rikontakton edhe njëherë me Universitetin dhe pretendon se janë dakordësuar që kërkesat e studentëve të merren në shqyrtim.

Studentët e Universitetit të Elbasanit, dega e infermierisë, nisën një ankesë anonime pranë Fiksit ku pretendonin se nuk kishin përfituar nga përgjysmimi i tarifave. Vendim ky, që u mor pas protestës së studentëve nga Këshilli i Ministrave. Sipas tyre 74 studentë edhe pse i kishin dorëzuar dokumentet dy herë nuk kishin përfituar. Në kamerat e fshehta të fiksit studentët e ankuar, por edhe shokët e tyre pranojnë që këto lekë nuk i janë kthyer mbrapsht.

Ndërsa sekretarja i sqaron se kjo ka ardhur si pasojë e mos dorëzimit në kohë të dokumentacionit nga ana e tyre. Ajo i tregon studentëve që në VKM ishte e përcaktuar qartë data e fundit e dorëzimit të dokumenteve. Të gjithë ata që i kanë dorëzuar pas kësaj date nuk do të përfitonin. Sipas saj Bordi i Administrimit nuk mund të dilte mbi ligjin dhe të vendoste pro miratimit.

Fiks Fare kontaktoi me administratorin e Universitetit të Elbasanit i cili na konfirmoi këtë situatë, duke na sqaruar se nga ana e universitetit dhe Bordit të Administrimit janë bërë të gjitha përpjekjet ligjore që këta studentë, edhe pse me vonesë të përfitojnë. Në respekt të VKM-së dhe ligjit ata i kanë kërkuar dhe rikërkuar disa herë Ministrisë së Arsimit të mbështesë ligjërisht miratimin e uljes së tarifave edhe për këta studentë. Ministria e Arsimit në përgjigjen e kthyer ka rikonfirmuar edhe njëherë VKM-në ku data e dorëzimit të dokumentacionit është e përcaktuar qartë. Në këto kushte Bordi i Administrimit ka vendosur të zbatojë ligjin edhe VKM-në duke mos i miratuar kërkesat e 74 studentëve.

Pak ditë pas interesimit të Fiksit situata mori zgjidhje. Ministria mbajti një tjetër qëndrim. Në përgjigjen zyrtare për Fiksin pretendoi që është dakordësuar me Bordin e Administrimit të Universitetit të Elbasanit, që të miratojë edhe këta studentë. Përgjigja e tyre e dytë si për Bordin, ashtu edhe për Fiksin ishte me specifike duke i lënë hapësirë bordit që vetëm pak ditë më vonë të bëjnë një tjetër mbledhje, ku u vendos të miratojnë në bazë të udhëzimit të Ministrisë, kërkesat e 74 studentëve.

Një situatë të ngjashme, Fiksi ndoqi edhe në Universitetin e Korçës. 24 studentë që kishin përfunduar masterin për Administrim Publik në 2017, ende nuk kishin marrë diplomat pasi Qendra e Shërbimeve Arsimore nuk i kish pajisur me numrat e matrikujve. Sipas tyre urdhri i Ministrit ka vajtur më vonesë ndërkohë që masteri ishte hapur. Pas kësaj situate Universiteti ka nisur një proces gjyqësor me QSHA të cilin e ka fituar.

Dekani dhe Rektori i Universitetit shprehen se ky problem ka marrë rrugën e zgjidhjes vetëm pasi hapën një proces gjyqësor me Ministrinë e Arsimit. Sipas tyre, ngërçi kish ardhur pikërisht nga kjo e fundit e cila për arsye subjektive vendimin për hapjen e këtij masteri e ka marrë pas fillimit real të tij. Edhe pse një gabim i ministrisë, QSHA-ja nuk pranonte të jepte numrat e matrikujve duke lënë pa kartonin e diplomës 24 studentë.

Vendim i i formës së prerë që studentët të pajisen me numrat e matrikullimit. Vendimi i gjykatës i cili detyronte QSHA-në të lëshonte numrat e matrikullimit, që mori formë të prerë në muajin Maj, gjeti zbatim në Korrik, vetëm pas interesimit të Fiksit. Mes institucioneve vazhdonin korrespondencat shkresore por pa i dhënë zgjidhje problemit.

Në përgjigjen me shkrim që QSHA nisi në redaksinë e fiksit konfirmon që ka vijuar me gjenerimin e numrave të matrikullimit për 24 studentë të Masterit Profesional. Sipas tyre numrat e matrikullimit i janë përcjellë Universitetit të Korçës më datën 2 korrik 2019. /FiksFare

Aktualitet