Politike10 Tetor 2019, 22:04

A do ta shpërndajë Meta parlamentin? Presidenti në sulm kundër të gjithëve

Shkruar nga Pamfleti
A do ta shpërndajë Meta parlamentin? Presidenti në sulm

Presidenti Ilir Meta vijon të jetë një i pandehur pasi akuzohet se ka shkelur Kushtetutën për anullimin e datës 30 qershor si datë për zgjedhjet lokale, e më tej për dekretimin e datës 13 tetor si datë e re për zhvillimin e tyre.

Në luftën që po bëhet për shkarkimin e tij, me raportin e Komisioni të Venecias që thotë qartë se Meta ka tejkaluar Kushtetutën me aktet e tij dhe me kundërpërgjigjet e ashpra të vetë Presidentit, gjithçka mbetet e hapur. Meta po përpiqet që të hidhet madje edhe në kundërsulm ndaj Ramës, duke shigjetuar kushtetueshmërinë e Parlamentetit.

Presidenti Ilir Meta ka folur sërish për çështjen nëse do ta shpërndajë ose jo Parlamentin me 122 deputetë, nga 140 që përcaktohet në Kushtetutë.

Që parlamenti nuk i ka 140 biem dakord, kemi konsensus këtu? Duhet që parlamenti të ketë 140 vota. Është në Kushtetutë. Tani ju po kaloni te numri 82. Mendimi im ose vlerësimi ka qenë shumë i qartë, që nga deklarata ime e Pogradecit, që nuk ka qenë një deklaratë e rastësishme, që ky parlament plotësisht legjitim ka 82 apo 83 deputetë, duke përfshirë dhe ata 3 deputetë të PD-së dhe të LSI-së që nuk pranuan të dorëzonin mandatet.

Gjithçka tjetër pastaj është e diskutueshme në drejtim të ligjshmërisë sepse janë shkelur të gjitha procedurat që kemi ne për zëvendësimin e mandatave të deputetëve dhe padyshim dhe në kuptim të legjitimitetit, sepse ju e dini shumë mirë se cili është sistemi zgjedhor dhe se si caktohen deputetët. Dhe e dini shumë mirë që nuk janë 60 deputetë të opozitës që kanë dhënë dorëheqjen në bllok, por janë 182 deputetë dhe ish-kandidatë për deputetë nga listat e të gjitha partive opozitare që kanë refuzuar, që nuk kanë pranuar të jenë pjesë e këtij Parlamenti.” – tha Meta. /Pamfleti

Politike