Kosova31 Dhjetor 2022, 16:51

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Publikohet plani franko-gjerman: Nuk përmendet njohja e ndërsjellë

Situata në pjesën veriore të Kosovës u tensionua muajve të fundit për shkak se Qeveria e Kosovës vendosi që të largojë nga qarkullimi targat ilegale me akronime, të cilat lëshoheshin për serbët e Kosovës nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Vendimi u kundërshtua nga serbët lokalë, si dhe nga Beogradi zyrtar.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës ishte e vendosur për zbatimin e këtij vendimi me gjithë faktin se komuniteti ndërkombëtarë kërkonte së paku 10 muaj kohë.

Për shkak të refuzimit për të zbatuar vendimin për riregjistrim të veturave me targa ilegale, institucionet e Kosovës, suspenduan nga puna drejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç.

Pas këtij vendimi, Lista Serbe, subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë, njoftoi për largimin e serbëve nga të gjitha institucionet e Kosovës, deri në rikthimin e Gjuriçit në punë si dhe, siç tha kryetari i saj, Goran Rakiç, deri në respektimin e të gjitha marrëveshjeve nga institucionet e Kosovës, përfshirë formimin Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në javët që pasuan dorëheqje dhanë zyrtarët serbë të Policisë së Kosovës, të sistemit të drejtësisë, ata të nivelit lokal dhe atij qendror.

Pala kosovare dhe ajo serbe u ftuan për takim në Bruksel, për të folur lidhur me këtë çështje. Takimi i parë midis nivelit të lartë përfundoi pa rezultate, por jo shumë kohë më pas, kryenegociatorët arritën marrëveshje.

Edhe pas marrëveshjes, vakuumi institucional vazhdoi në veri të Kosovës. Në kohën kur u mendua se tensionet u ulën, një arrestim bëri që situata të tensionohej edhe më shumë.

Dorëheqjet e shumta të serbëve veriorë të Kosovës, e edhe të kryetarëve të komunave, bënë që të shpallen zgjedhjet në këto komuna.

Ish-polici serb, Dejan Pantiç, protestën kundër zgjedhjeve vendosi ta bënte me dhunë – duke sulmuar Policinë e Kosovës dhe zyrtarët e Komisionit Zgjedhor.

Gjendja jo e qetë bëri që zgjedhjet të anulohen, por në ditën kur Pantiç u arrestua për terrorizëm më 10 dhjetor, u ngritën barrikada në rrugët që dërgojnë për në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Barrikadat në veri të Kosovës u ngritën nga disa grupe serbësh, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb të Policisë së Kosovës.

Më 28 dhjetor, Pantiçit iu zëvendësua masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Kjo bëri që një serbët të bënin një hap prapa me heqjen e postblloqeve.

Megjithatë barrikada më të mëdha tash e një dekadë janë ende evidente në raportin Kosovë-Serbi.

Palët janë përballë njëra-tjetrës në tavolinën e bisedimeve në Bruksel për marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve.

Megjithatë situata në terren ka bërë që këto bisedime të pezullohen deri në një afat të pacaktuar.

Bashkimi Evropian ka vlerësuar se mosbesimi në mes palëve ka mbërritur në nivelin më të lartë ndonjëherë pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një deklaratë për “Politico”, ka thënë se heqja e barrikadave të enjten ka zgjidhur problemin, por se tensionet mbesin në nivel të lartë.

Duke pranuar se ka caktim afatesh për dialog, Lajçaku ka thënë se po që se dialogu nuk përmbyllet në vitin 2023, atëherë “duhet nisur gjithçka nga e para”.

“Niveli i mosbesimit është më i lartë se kurdoherë”, ka thënë ai, në ditën kur në veri u hoqën barrikadat që qëndruan për 20 ditë, pas arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiç, të dyshuar për sulm ndaj Policisë e Komisioneve Komunale Zgjedhore.

Ai ka thënë se afati i marsit ka për qëllim që të përcjellë seriozitetin e arritjes së marrëveshjes, siç shkruan “Politico”.

Lajçaku ka thënë se liderët e Kosovës dhe Serbisë janë të gatshëm për takim – por “problem është rezultati”.

Sipas tij, aktualisht koha është ideale për zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi dhe nëse humb ky rast, mosmarrëveshja mund të zgjasë me dekada.

“Tani për tani, kemi strukturë shumë të favorshme: Kemi vëmendjen e top-lidershipit në SHBA dhe BE, dhe kemi bashkëpunim të shkëlqyer BE-SHBA – prandaj kjo është dritare e vërtetë e mundësisë, diku deri në dhjetor 2023 ose fillim 2024”, ka thënë ai.

Zgjedhjet e Parlamentit Evropian dhe ato presidenciale në SHBA do të mbahen më 2024.

“Nëse gjërat nuk bëhen deri atëherë, do të duhet të nisim gjithçka nga fillimi. Nëse kthehemi në kriza e përplasje, të harrojmë afatet”, ka thënë Lajçaku. /Pamfleti 

Prishtine Albin Kurti Aleksandar Vuçiq Barrikadat në veri të Kosovës bashkimi evropian dialogu Kosovë-Serbi Miroslav Lajčák

Kosova