Kosova 1 Tetor 2022, 11:13

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Foto ilustrim

Aplikimi i Kosovës për statusin e vendit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian po konsiderohet i pamundur nga njohësit e procesit të integrimit për shkak të mosnjohjes nga pesë vendet anëtare.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi ka thënë se duke e ditur që janë pesë vende mosnjohëse, praktikisht Kosova e ka të pamundur këtë proces.

“Po çdo vend që ka një marrëveshje me Bashkimin Evropian siç është Marrëveshja për Stabilizim Asociim dhe bëhet adaptimi i ligjeve të Kosovës me ato të BE-së, ai vend që aspiron vlerat e Bashkimit Evropian, ka vend ta bëjë kërkesën për statusin e vendit kandidat, por pranimi i atij vendi bëhet vetëm në mënyrë unanime, që i bie se 27 vendet anëtare duhet të thonë Po, e që në Kosovë praktikisht nuk mund ta arrijmë sepse pesë vendet e BE-së nuk e njohin Kosovën”, thotë Arifi për EO.

Sipas tij, Kosova nuk humb asgjë nëse aplikon, por që vetëm përgjigje nuk do të marrë.

“Kosova është e gatshme për ta bërë kërkesën por përgjigje nuk do të marrë sepse duhet unanimitet brenda Këshillit që një vend të ftohet për status të vendit kandidat. Jo nuk humb asgjë në këtë rast, por vetëm përgjigje nuk kthejnë”, u shpreh tutje Arifi.

Edhe njohësi tjetër i proceseve integruese, Agron Hoti, shprehet skeptik se një gjë mund të ndodhë.

“Kosova formalisht duhet të aplikojë në Këshillin e Bashkimit Evropian për anëtarësim, dhe pastaj ata e shqyrtojnë këtë aplikacion. Fillimisht Kosova duhet bëhet një vend kandidat, pastaj të hapen negociatat, mirëpo nuk jam shumë optimist”.

“Ne mund të aplikojmë mirëpo nëse nuk kemi garancinë nga shtetet e fuqishme të Bashkimit Evropian që BE-ja do të lëvizë, atëherë humbja e një aplikacioni do të ketë pasoja politike për Kosovën, sepse ai do të merrej si dështim i Kosovës karshi procesit të Bashkimit Evropian”, u shpreh ai.

Prishtine bashkimi evropian Kosova Statusi i vendit kandidat

Kosova