Editorial27 Shtator 2019, 12:11

A do të zbatohet ligji për gruan e Gjin Gjonit?

Shkruar nga Pamfleti
A do të zbatohet ligji për gruan e Gjin Gjonit?

Kush do ta mbajë përgjegjësinë për skandalin e Elona Çaushit? Ministria e Financave, gjyqtarja që ka dhënë një vendim arbitar apo të dyja palët? Apo do të ndodhë ajo që ndodh rëndom, që të gjithë do t’ia hedhin pa lagur?

Për vetë përmasat që mori skandali i hapsirave Duty Free në Aeroportin e Rinasit dhe abuzimeve të gruas së Gjin Gjonit, Ministria e Financave është detyruar të bëjë një hap mbrapa. Duke qenë se është e pamundur tashmë të fshihet fakti se Elona Çaushi ka arritur të marrë firmën e zv/Ministrit të Financave, Elton Haxhi, brenda vetëm 24 orëve duke rinovuar licencën për vijimin e aktivitetin tregtar në Rinas të kompanisë së saj, Albania Duty Free Distribution, pavarësisht se tenderin për të ushtruar këtë aktivitet për 5 vitet e ardhshme e ka fituar kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF), institucionet janë vënë në lëvizje. Të paktën zyrtarisht sepse duhet të presim që të shohim se çfarë rrjedhe do të marrë kjo histori.

Por ajo që nuk mund të tjetërsohet tashmë, është e vërteta. Skandali i parë i madh i kësaj historie është fakti i liçencimit të Elona Çaushit nga shteti shqiptar, pavarësisht se ajo nuk e gëzonte më të drejtën ligjore për ushtrimin e aktivitetit. Si qëndron kjo punë?

Vërtet kaq i painformuar apo i pavëmendshëm është një institucion si Ministria e Financave sa të mos jetë në gjendje të shqyrtojë, gjykojë e më pas të vendosë si duhet për  një procedurë të tillë? Apo mos ndoshta Elton Haxhit (në mungesë të ministres Anila Denaj), i ka rënë telefoni dhe është urdhëruar të firmosë shpejt e shpejt dhe kaq?  A duhet të mbajë ai përgjegjësi ligjore për këtë? Cila është masa aqë duhet të merret për të, në bazë të ligjit?

Në një njoftim të Ministrisë së Financave thuhet se ky institucion po verifikon ligjshmërinë e veprimtarisë së degës doganore në Rinas (aeroport), e cila monitoron edhe veprimtarinë tregtare në hapësirën Duty Free të aeroportit. Gjatë verifikimeve, kontrolli i ministrisë ka konstatuar një sërë problematikash dhe shkeljesh, ku për rrjedhojë janë propozuar disa masa administrative.

Kaq?

Nga ana tjetër thuhet gjithashtu se Drejtoria Ligjore në Ministrinë e Financave po verifikon ligjshmërinë e procedurave të ndjekura për rinovimin e licencës së kompanisë së gruas së Gjin Gjonit, Elona Çaushi, për të vijuar aktivitetin tregtar në Rinas. Verifikimet po kryhen nëse ka pasur apo jo shkelje në vendimin për rinovimin e licencës.

A është vërtet e nevojshme të bëhet pyetja: A ka pasur shkelje?

Fakti tjetër është që mënyra se si po administrohet ky kontroll me shumë gjasë do të çojë në përfundimin se rinovimi i licencës është bërë mbi bazën e vendimit të gjyqtares Mimoza Kajo-Brahimi, me të cilin, Elona Çaushi pretendonte të vazhdonte aktivitetin e vet, paçka se ky vendim u dha pa pjesëmarrjen e palës tjetër në konflikt, TIA, i cili as që ishte njoftuar që dikush i kishte gritur padi.

Sa për kronoligji të ngjarjes: vendimi i gjyqtares Mimoza Kajo-Brahimi është dhënë me 7 gusht 2019. Në 9 gusht kompania e Elona Çaushit i është drejtuar me një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për t’u pajisur me autorizim për vijimin e aktivitetit dhe me 15 gusht DPD vë në lëvizje ministrinë e Financave. Me 16 gusht firmoset nga zv/Ministri Haxhi rinovimi i liçencës.

Kjo është skema diabolike e aplikuar nga Elona Çaushit!

Për të shkuar me tej: Le të themi që Ministria do t’ia hedhë paq. Po me gjyqtaren në fjalë a do të merret dikush? A duhet të japin llogari këta njerëz që ligjin dhe shtetin e trajtojnë si të qe prona e babait?

Shpresojmë…por gjasat janë që jo!

Ndërkohë konflikti mes kompanisë koncesionare TIA dhe kompanisë së gruas së Gjin Gjonit ka çuar në mbylljen pa afat të ambienteve Duty Free në Aeroportin e Rinasit. Tenderin e shpallur nga TIA për zhvillimin e këtij aktiviteti e ka fituar kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF), por nga ana tjetër Albania Duty Free Distribution e Elona Çaushit ka siguruar një vendim për të vijuar këtë aktivitet, në të njëjtin vend, kundër vullnetit të TIA. Kompanisë së Elona Çaushit i ka mbaruar kontrata me TIA që në 27 gusht 2019. Nga ana tjetër, TIA ka firmosur kontratën ICDF më 31 korrik 2019. Me datë 15 shtator, sipas kontratës, ICDF duhet të merrte në dorëzim ambientet. Por, për shkak të konfliktit në fjalë, asnjëra nga kompanitë nuk e menaxhon këtë hapësirë, pasi dyqanet janë të mbyllura.

Histori shqiptare me pak fjalë. Do të flitet për të deri kur një skandal i ri të dalë nqë qarkullim dhe kaq.

P.S. Po gruaja e Gjinit si do bëjë? A thua do të gjejë më çfarë do të merret tani e tutje? Apo vetëm do të shesë çanta?/Pamfleti

Editorial A do të zbatohet ligji për gruan e Gjin Gjonit?