Kosova 7 Korrik 2019, 08:38

A e pengojnë azilkërkuesit çështjen e liberalizimit të vizave?

Shkruar nga Pamfleti
A e pengojnë azilkërkuesit çështjen e liberalizimit

A e pengojnë azilkërkuesit çështjen e liberalizimit të vizave?

Sipas Zyrës Evropiane të Statistikave (EUROSTAT), në periudhën 2008-2018 gjithsej 203.330 qytetarë kanë ikur nga Kosova dhe kanë bërë kërkesë për azil në Bashkimin Evropian. Po ashtu gjatë kësaj kohe 141.330 qytetarë të Kosovës u gjetën ilegalisht të pranishëm në BE. Kësisoj prej shpalljes së Kosovës si shtet gati 20% ose 1/5 e popullsisë ka ikur nga Kosova.

Ndërkohë këtyre të dhënave nuk u është shtuar as numri i qytetarëve të Kosovës që kanë migruar në BE përmes rrugëve tjera ligjore, siç janë lejet e punës, shkruan Gazeta “Zëri”.

Ndërsa në pesë vjetët e fundit afër 135 mijë qytetarë nga Kosova kanë kërkuar azil nëpër vendet e Bashkimit Evropian dhe, siç njofton Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, prej tyre janë kthyer afërsisht 40 mijë qytetarë.

Në kuadër të mekanizmit të pezullimit të liberalizimit të vizave, një nga 4 kriteret kyçe mbi të cilat mund të pezullohet lëvizja e lirë e qytetarëve është pikërisht rritja e numrit të azilkërkuesve.

Demush Shasha, nga instituti EPIK thotë se sipas hulumtimeve dhe të gjeturave të institutit EPIK, në krahasim me të gjitha vendet e Ballkanit, Kosova ka shënuar rënien më të madhe të azilkërkuesve, gati në 93%.

Por më tutje ai thekson se pakënaqësitë në vend mund të çojnë në rritje të këtij numri, që rrjedhimisht mund të sjellë numër të lartë të azilkërkuesve dhe rrezik për heqjen e vizave.

“Në këtë drejtim duhet konkluduar se përderisa çështja e azilkërkueseve momentalisht nuk është çështje që pengon procesin e liberalizimit të vizave, akumulimi i pakënaqësisë së madhe të qytetarëve ndaj zhvillimeve politike dhe ekonomike në Kosovë përbën një rrezik potencial për abuzim me të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Schengen dhe eventualisht rritjen e numrit të azilkërkuesve nga Kosova në BE”, ka thënë ai për “Zërin”. /ZËRI

Prishtine Azilkërkuesit Liberalizimi i vizave Zyra Evropiane të Statistikave