Kosova16 Dhjetor 2022, 14:39

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka uruar Kosovën pas aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe për liberalizimin e vizave që pritet të ndodhë me 1 janar të vitit 2024.

“I drejtoj urimet më të përzemërta Qeverisë së Republikës së Kosovës për aplikimin për anëtarësim në BE dhe arritjen e liberalizimit të vizave”, shkroi kryeministri i Malit të Zi në Twitter.

Këto procese, ai i quajti “historike” për Kosovën, teksa theksoi se po fuqizohen aspiratat e Ballkanit Perëndimor për integrim në familjen e madhe evropiane.

“Republika e Kosovës do të ketë mbështetje të sinqertë dhe të plotë të Malit të Zi në rrugëtimin e saj drejt BE-së”, përfundoi Abazoviç, i cili postimet i bëri në gjuhën shqipe.

Të enjten kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE.

Po ashtu, të mërkurën e kësaj jave, Përfaqësuesit e Parlamentit dhe Këshillit Evropian kanë arritur marrëveshjen për liberalizimin e vizave për Kosovën, marrëveshje e cila hyn në fuqi më së largu nga janari i vitit 2024.

Prishtine Albin Kurti Dritan Abazoviq Kosova Mali i Zi

Kosova