Aferat dhe shpërdorimet e llahtarshme në OSHEE

Aferat e peshkut të madh të OSHEE nga vjedhjet me tendera deri tek ndarja e parave të shqiptarëve si shpërblim për hajdutët e OSHEE

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike me në krye Ardian Çelën është shndërruar në një prej degëve më të korruptuara, shpërdoruese dhe arbitrare të qeverisjes së vendit. Fillimisht, lukunia e hajdutëve të OSHEE vjedh qytetarët me anë të mbifaturimeve. Më pas, drejtuesit e OSHEE bëjnë rrush e kumbulla paratë e shqiptarëve të mbledhura në mënyrë të ligjshme dhe të paligjshme. Një pjesë e aferave të OSHEE nën drejtimin e Ardian Çelës janë dokumentuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit me anë të një raporti voluminoz.



Prokuroria dhe gjykatat aktuale janë të pafuqishme për ta marrë në dorë një dosje të tillë, për shkak se pas OSHEE fshihen peshq edhe më të mëdhenj se Ardian Çela. Përgjegjësit për shkeljet e panumërta që kanë sjellë si pasojë një dëm të madh në buxhetin e shtetit, mund t’i ndëshkojnë vetëm organet e SPAK-ut, konkretisht Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykatat Speciale, të cilat do të ngrihen në muajt në vijim.

Duke nisur nga sot, Pamfleti do të nisë të botojë dosjen e plotë të aferave të OSHEE, afera të cilat janë konsumuar nën hundën e Edi Ramës dhe disa ministrave, të cilët në fund, kur t’u ngushtohet laku i drejtësisë, do të tentojnë të bëjnë kurban Ardian Çelën, i cili në fakt është përgjegjësit kryesor për shpërdorimet e llahtarshme në OSHEE.

Shkeljet nisin me dhënien e shpërblimit në fund të vitit punonjësve, në shkelje të ligjit, në shumat 168,990,000 dhe 43,437,460 lekë, para daljes së rezultatit financiar vjetor. Nga ana tjetër, nga largimet e padrejta nga puna, për të futur në punë njerëzit e partisë, dëmi në buxhet është 188,060,525 lekë.

Sigurisht një pjesë të shpërdorimeve e zënë tenderat, ku vetëm me një dorë janë vjedhur mbi 500 mijë euro. Sipas dosjes, blerjet me vlera të vogla janë kryer pa u bërë, specifikimi i saktë i mallrave dhe i materialeve që janë prokuruar, si dhe nuk janë dhënë detaje teknike të plota. Gjithashtu, blerjet me vlera të vogla, janë kryer pa u argumentuar nevoja për blerjen e mallrave, materialeve dhe shërbimeve. Pra, OSHEE ka sajuar blerje vetëm për të shpërdoruar paratë.

Për 13 tendera, në përllogaritjen e vlerës të kontratës, nuk janë harmonizuar metodat e vendosura në aktet ligjore e nënligjore të prokurimeve, si dhe çmimet e botuara nga INSTAT-i, apo çmime të tjera zyrtare, të njohura nga institucionet përkatëse, duke sjellë dëme në buxhet.

Për 10 tendera, në hartimin e dokumenteve të tenderit, nuk janë dhënë argumentime mbi vendosjen e çdo kriteri të veçantë për kualifikim. Kriteret arbitrare janë vënë për t’i dhënë tenderin dikujt me paracaktim. Nga ana tjetër, për 8 tendera, specifikimet teknike nuk janë hartuar plotësisht në përputhje me nenin 23 të Ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”. Pra, për disa tendera vendos specifike arbitrare, për disa të tjerë heq edhe ato specifike që duhen sipas ligjit.

Për 7 tendera, kualifikimi dhe shpallja fitues e operatorëve ekonomik nga KVO, si dhe

lidhja e kontratave, është kryer në mënyrë të paligjshme. Nga ana tjetër, anulimi i procedurave të prokurimit nga autoriteti kontraktor, është kryer pa analizuar dhe nxjerrë përgjegjësitë për shkaqet subjektive që vërehen në procedurat e anuluara, në kundërshtim me Ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”. Këto abuzime janë një pikë në oqeanin e abuzimeve të OSHEE./Pamfleti