Kosova26 Tetor 2022, 11:20

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Me afrimin e afatit të fundit për konvertimin e targave ilegale në ato RKS, Lista Serbe ka kërkuar të mbahet një takim urgjent me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për këtë çështje.

Lista Serbe ka thënë se deklaratat e fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, provokojnë frikë te qytetarët serbë, veçanërisht te ata në veri të Kosovës.

“Në emër të serbëve nga Kosova dhe në lidhje me deklaratat e Albin Kurtit që nga 1 nëntori do të nisë konfiskimi i veturave të qytetarëve tanë me targa serbe, ne përfaqësuesit e serbëve të Kosovës po kërkojmë takim urgjent me presidentin Aleksandar Vuçiç. Paralajmërimi i Albin Kurtit për veprime të dhunshme ndaj qytetarëve tanë, veçanërisht atyre në veri të Kosoëvs, provokojnë frikë dhe pasiguri dhe është e nevojshme të takohemi urgjentisht dhe të pajtohemi se si të ruhet paqja dhe siguria e qytetarëve, por edhe për interesat jetike të popullit tonë, pasi të gjithë e kanë të qartë se populli ynë nuk pajtohet me vendimet e njëanshme të Prishtinës që kanë synim të largojnë çdo gjë serbe nga këto territore”, ka shkruar Lista Serbe në Facebook.

Lista Serbe e ka akuzuar kryeministrin Kurti se ka për qëllim të krijojë krizë e tensione.

“Deklaratat e fundit të Albin Kurtit tregojnë qartë se në Prishtinë nuk ekziston dëshira për gjetjen e një marrëveshje kompromisi, por vetëm dëshira për nxitje të krizave e tensioneve, veçanërisht në veri të Kosovës. Populli serb në Kosovë i beson shtetit të saj Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiqi, se së bashku do t’i përgjigjemi të gjitha sfidave që janë para nesh”, thuhet më tej nga Lista Serbe.

Kurti ka thënë se nuk do të ketë shtyrje të mëtutjeshme të afatit për aplikimin e vendimit për targat.

Deri më 31 tetor është afati i fundit kur mund të ndërrohen targat nga ato ilegale të lëshuara nga institucionet e Serbisë në ato legale RKS.

Prishtine Albin Kurti Aleksandar Vuçiç Lista Serbe Targat ilegale

Kosova

·

26 Tetor 2022, 00:1200:12Kosova