Bota14 Tetor 2019, 20:44

Aksione të shumta kundër antisemitizmit dhe dhunës së ekstremistëve, politikania socialdemokrate: Të dënohen rreptë

Shkruar nga Pamfleti
Aksione të shumta kundër antisemitizmit dhe dhunës së

Aksione të shumta kundër antisemitizmit dhe dhunës së ekstremistëve, politikania socialdemokrate: Të dënohen rreptë

Pas sulmit në Halle, ministrja e Drejtësisë Lambrecht ka kërkuar dënimin më të rreptë të atyre që kryejnë vepra antisemitiste. Në të gjithë Gjermaninë kanë protestuar mijëra njerëz kundër ekstremizmit të djathtë.

“Motivet antisemitiste të një vepre duhet të dënohen me ashpërsinë e duhur ligjore dhe kjo është e pakontestueshme”, theksoi politikania socialdemokrate Christine Lambrecht. “Ligjet ekzistojnë, por ato duhet të aplikohen në mënyrë konsekuente”, nënvizoi Lambrecht në një deklaratë për gazetën “Welt am Sonntag”. Edhe ajo e shikon me “shqetësim të thellë” rritjen e veprave me motive antisemitiste në Gjermani, thotë ministrja. “Sulmi terrorist në Halle është pika e tmerrshme kulmore e një procesi të gjatë që po zhvillohet.”

Lambrecht e veçoi prokurorinë e Bavarisë, si një shembull të mirë të sjelljes në rastet e sulmeve antisemitiste. Kjo prokurori ka shpallur si rregull vendimin se në rastet e sulmeve antisemitiste nuk mund të ketë mbyllje të proceseve për shkak të fajësisë së vogël apo mungesës së provave. Ministrja nënvizon se “ne duhet ta bëjmë shumë të qartë se i mbështesin 100% bashkëqytetarët tanë hebrenj dhe se në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë antisemitizmin.”

Ministri i Brendshëm i Saksonisë së Poshtme, Boris Pistorius ka kërkuar veprime më të ashpra ndaj terrorit me motive të djathta politike. “Ne duhet të përballemi me terrorizmin e djathtë, siç jemi përballur në vitet 70-të të shekullit të kaluar me terrroristët e RAF. Duhet të veprojmë me tërë fuqinë e shtetit ligjor dhe të ruajmë bazat e shtetit tonë demokratik dhe juridik. Duhet të tregojmë se gjëra të tilla nuk do të tolerohen”, tha politikani i SPD për gazetën “Bild am Sonntag”. Autoritetet e sigurisë duhet të përdorin instrumentet moderne në luftimin e terrorizmit. “Tani nuk kemi ndonjë sistem të paralajmërimit me kohe”, thotë Pistorius. “Ndaj është me rëndësi që politika të sigurojë qasje në komunikimin e terroristëve në internet.”

Sulmi terrorist ndaj sinagogës

Në qytetin Halle, në Saksoni-Anhalt, një person i armatosur ka dashur të futet në sinagogën ku ishin mbledhur për lutje 51 besimtarë, të cilët festonin festën e madhe hebreje Jom-Kippur. Pas dështimit të futjes në sinagogë, 27 – vjeçari ka qëlluar për vdekje në rrugë një kalimtare 40-vjeçare dhe më pas një burrë 20-vjeçar në një dyqan të ushqimit dyner. Terroristi më pas e ka pranuar në tërësi veprën dhe motivet e djathta ekstremiste me qëllime antisemitiste.

Për shkak të rëndësisë së kësaj vepre terroriste, me rastin po merret Gjykata Federale dhe Zyra Federale për luftë kundër Kriminalitetit. Rastin është duke e hetuar një njësi e krijuar enkas prej 150 personash. Hetimet duhet të tregojnë, nëse ky person ka vepruar vetë apo ka edhe të tjerë që janë përfshirë në këtë sulm terrorist.

Protestat e qytetarëve

Të shtunën në të gjithë Gjermaninë kanë protestuar me mijëra njerëz kundër antisemitistëve dhe dhunës së ekstremistëve të djathtë. Në qytetin universitar Marburg është organizuar një marsh i 3000 personave. “Ne bashkëndjejmë me viktimat dhe të gjithë ata që janë kërcënuar, apo ndjehen të kërcënuar”, tha kryetari i bashkisë në Marburg Thomas Spies. “Ata dhe ju të gjithë duhet të dini se ne jemi në anën tuaj”, tha ai. Në Hamburg kanë protestar rreth 1200 persona kundër antisemitizmit dhe dhunës së ekstremistëve. Në qytetet e tjera ka pasur më pak demonstrues.

Ditën e dielë është mbajtur në Berlin protesta e grupeve të ndryshme, të cilët kanë ftuar qytetarët të dalin dhe të tregojnë përkushtimin e tyre në luftën kundër antisemitizmit dhe racizmit. Organizatorët thonë se janë mbledhur me mijëra persona, të cilat kanë dëshmuar solidaritet dhe uniteti në këto momente të rënda. “Ne nuk do të lejojmë përçarje në shoqëri”, ishte mesazhi i tyre./DW

Bota antisemitistët Christine Lambrecht ekstremistet politikania socialdemokrate