Dosja e zezë28 Shtator 2023, 14:48

Dumani paralajmëron zhvillime për familjen Berisha: Për Gërdecin po asistohemi nga SHBA, hetime intensive për kompleksin “Partizani”

Shkruar nga Pamfleti
Dumani paralajmëron zhvillime për familjen Berisha: Për
Berisha dhe djali i tij

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se kanë hyrë në lojë sa i takon tragjedisë së Gërdecit.

Teksa Fatmir Mediu po përpëlitet në gjykatë për të shpëtuar nga burgu, SPAK ka një tjetër dosje për pastrim parash dhe trafik me fishekët në Gërdec. Padyshim i rrezikuari kryesor në këtë rast është Shkëlzen Berisha, i cili është marrë dhe në pyetje. Ai është akuzuar shpesh se ka dirigjuar gjithçka ndodhte në fabrikën e demontimit.

Në një takim informal me gazetarët, kreu i SPAK Altin Dumani u pyet mbi këtë dosje dhe konfirmoi se po bashkëpunohet me SHBA për të hedhur dritë. Sipas tij, janë dërguar letër-porosi dhe po ashtu po bashkëpunohet me autoritetet e Uashingtonit, duke qenë se kompania që merrej me demontimin dhe fishekët ishte amerikane. Dumani tha se po kryhen të gjithë veprimet e nevojshme që të zbardhet një herë e mirë kjo dosje.

Në lidhje me kompleksin Partizani, kreu i SPAK, Altin Dumani tha se po hetohet në mënyrë aktive po  kryhen veprime të shumta hetimore. Në këtë aferë është implikuar dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi. Pra duket se do ketë zhvillime për familjen Berisha

SPAK ka dërguar një letër-porosi në SHBA dhe ka kërkuar të merret në pyetje Efraim Diveroli, i cili u dënua për trafik municionesh në Gërdec. Por lidhur me zhvillimet në Gërdec ka folur më herët David Packouz, ortaku i Efraim Diverolit.

Duke folur për podkastin “Koncrete”, Packouz ka rrëfyer se Diveroli negocioi me Shkëlzen Berishën për të ulur çmimin e fishekëve. Ai ka treguar se si më pas fishekëve ju hoqën mbishkrimet kineze.

Efraimi mori vendimin që nuk donte të kishte rrezikun të humbiste një kontratë 300 milionë dollarëshe, kështu që në vend që t’i tregonte Ushtrisë Amerikane dhe të pranonte riskun që mund t’i hiqnin kontratën, ai vendosi të merrte dikë që të ripaketonte municionin. Ta hiqte nga kutitë me shenja kineze dhe t’i vendosnin në qese plastike dhe më pas në kuti kartoni. Në fakt donim ta bënim këtë përpara se zbuluam që municioni ishte kinez. Për shkak se në atë kohë ishte rritur çmimi i karburantit, dhe transporti me avion ishte shumë i shtrenjtë. Ndaj menduam se municioni ishte i paketuar në kuti druri të rënda, dhe nëse i hiqnim, do të ulnim shumë peshën, dhe do të dërgonim më shumë municion, në këmbim do të fitonim më shumë. Për ta bërë këtë, miku im Alex shkoi në Shqipëri dhe gjeti një prodhues kutish prej kartoni dhe e punësoi. Aty e kuptuam që ishte municion kinez, pasi vendosëm ta ripaketonim. Atëherë ne thamë “duhet ta ripaketojmë gjithsesi, por duhet të sigurohemi të heqim edhe shenjat kineze”. Ne u treguam shumë budallenj dhe e dërguam këtë me e-mail, duke lënë mundësi të mëdha gjurmimi”, tha Packouz.

Më tej ai ka treguar se janë paguar 100 mijë dollarë, apo 200 mijë dollarë për ripaketimin. Më pas ai nxjerr në skenë emrin e Kosta Trebickës, i cili ishte personi që ka bërë paketimin e fishekëve. Po ashtu tregon pazaret me Shkëlzen Berishën.

Efraimi shkon në Shqipëri dhe takohet me Pinarin, ishte i organizatës së eksportit shqiptar. Një kompani shtetërore që ishte e ngarkuar të shiste çdo lloj municioni që donte qeveria ta shiste. Ai u takua me Pinarin, ky takim është dhe në libër, dhe për këtë na paditi zoti Berisha (Shkëlzeni). U takua me Pinarin dhe djalin e kryeministrit, dhe një person tjetër që ishte një mafioz shqiptar. Nuk ia mbaj mend emrin.

Efraim kuptoi se me kë kishte të bënte, ai zakonisht flet shumë, Alex ishte atje dhe më tha se sapo hyri aty, e uli menjëherë zërin. Ata i thanë, shiko nuk do të të japim një çmim më të mirë, ky është çmimi më i mirë në Europë. Megjithatë e dimë se bën edhe ripaketimin, dhe ke punësuar këtë tipin që nuk është pjesë e organizatës tonë, dhe po i paguan atij goxha para”, ka treguar ai.

gerdeci dumani