Aktualitet22 Prill 2024, 09:39

Afera 100 mln e “Sterilizimit”, Beqaj paraqitet me disk në SPAK për të marrë dosjen e hetimeve

Shkruar nga Pamfleti
Afera 100 mln e “Sterilizimit”, Beqaj paraqitet me disk në
Ilir Beqaj

Gjykata e Posaçme i ka dhënë ish-ministrit Ilir Beqaj që 602 fashikujt ti marr në mënyrë elektronike.

Këtë të hënë ai është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme ku ka dorëzuar një hard disk me qëllim marrjen e materialeve.

E njëjta procedurë do të bëhet edhe për 8 persona e tjerë në këtë proces që janë marr të pandehur nga SPAK për çështjen e sterelizimit.

SPAK vendosi një shifër prej afro 1 milion lekë të reja për person nëse duan ti marrin fashikujt e dosjes.

Kjo gjë u kundërshtua në gjykata për të cilën togat e zeza i dhanë të drejtën palës mbrojtëse që materialet në këtë fazë ti marrin falas, duke ia kursyer lekët Beqajt, Rrapajt,e persona të tjerë në proces.

Dosja e SPAK për “Sterilizimin”

Sipas Prokurorisë së Posaçme, e cila ka dërguar në GJKKO dosjen,  ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, ka kryer të gjitha veprimet e përllogaritjeve financiare dhe i ka ndryshuar disa herë me qëllim arritjen e treguesve financiarë IRR dhe NPV, në nivele të pranuara nga Ministria e Financave.

Nga hetimet ka rezultuar se numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është raportuar i rremë në dokumente që janë paraqitur Ministrisë së Financave, njofton Prokuroria e Posaçme.

Gjithashtu në këta tregues financiar Klodian Rjepaj, me qëllim uljen e normës së IRR dhe NPV, ka shtuar si zëra të kostove të shërbimit në kohëzgjatjen e koncensionit, mirëmbajtje të instrumenteve, të sistemeve dhe centralit të sterilizimit, në vlera disa herë më të larta se vlera e blerjes së tyre të reja.

Gjithashtu në Krahasuesin e Sektorit Publik, si treguesi kryesor për dhënien e këtij projekti me Koncension/Partneritet Publik Privat, janë përdorur kosto të rreme të këtij shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke vendosur vlerat e barnave dhe medikamenteve mjekësore, që nuk janë pjesë e këtij shërbimi. Kjo kosto është rritur dhe mbivlerësuar në mënyrë të rreme në masën 56.4%.

Sipas SPAK, gjatë gjithë periudhës përgatitore të projektit, procedurën e tenderimit dhe dhënies së koncensionit deri në firmosjen e kontratës koncensionare, Klodian Rjepaj ka bashkëpunuar ngushtësisht Ilir Rrapaj, me qëllim shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë, ku pjesëmarrës është me 40% subjekti tregtar “Investital Llc”, me përfaqësues biznesmenin.

Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, si personi i cili ka bërë pasqyrat financiare dhe studimin e fizibilitetit, në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të komisionit Marsela Serjani, Petro Mersini, Arben Gjata, Saimir Kadiu, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi, akuzohet se kanë ligjësuar këta dokumente me të dhëna të pavërteta. 

Ndërsa ish-ministri Ilir Beqaj akuzohet se për veprimet ose mosveprimet që kanë të bëjnë me miratimin dhe nënshkrimin e kësaj kontrate koncensionare, duke i miratuar ato në kundërshtim me rregullat dhe aktet ligjore e nënligjore të zbatueshme për konçesionet, rezulton e provuar plotësisht ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të  detyrës”, e kryer në bashkëpunim, me Klodjan Rjepajn.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.13, të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurve:

1.     Ilir Beqaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 – 25, të Kodit Penal;

2.    Klodian Rjepaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Mashtrimit”, e kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda, “Falsifikimit të  dokumentave”, e kryer në bashkëpunim, “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 143/2, 3, 186/3-25 dhe 248-25, të Kodit Penal.

3.     Ilir Rrapaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit”, e kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda, të parashikuar nga neni 143/2, 3, të Kodit Penal.

4.     Marsela Serjani, e akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentave”, e kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25, të Kodit Penal.

5.     Saimir Kadiu, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentave”, e kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe dhe 248 – 25, të Kodit Penal.

6.     Petref Mersini, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të  “Falsifikimit të dokumentave”, e kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.

7.     Arben Gjata, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentave”, e kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25, të Kodit Penal.

8.     Genc Burazeri, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentave”, e kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.

9.     Naile Ajazi, e akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentave”, e kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25, të Kodit Penal. 

ilir beqaj afera 100 mln e “sterilizimit”