Aktualitet 2 Shkurt 2024, 09:13

Afera e 'Sterilizimit', Ilir Beqaj shkon sërish në SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Afera e 'Sterilizimit', Ilir Beqaj shkon sërish në SPAK
Ilir Beqaj

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur ditën e sotme më 2 Shkurt sërish në SPAK.

Ndaj ish-ministrit disa ditë më parë është caktuar nga GJKKO masa e detyrimit të paraqitjes dhe ndalim dalje jashtë vendit pasi ai po hetohet për aferën e 'Sterilizimit'.

Hetimi bën fjalë për shkeljet e pretenduara nga SPAK, në koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj tashmë i arrestuar bashkë me ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. 

Ndërsa po zbaton masën e caktuar nga GJKKO për këtë çështje, një hetim paralel ka nisur për të për dyshime që lidhen me fondet e huaja, të koordinuara nga SASPAC, Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, ku Beqaj ishte drejtor.

SPAK ka dyshime për korrupsion dhe shpërdorim detyre të Beqajt, por nuk ka të regjistruar një procedim, ndërkohë që ndaj tij është ushtruar kontroll banese dhe janë sekuestruar telefoni, kompjuteri dhe dokumente të tjera. Kontrolle janë ushtruar edhe në banesat e 5 anëtarëve të tjerë të SASPAC.

Afera e Sterilizimit

Koncesioni i sterilizimit kaloi në duart e prokurorëve të SPAK në korrik 2022, të cilët nisën hetimin për të zbardhur procedurat e dhënies me koncesion të këtij shërbimi.

Ajo është një prej katër projekteve të PPP nne mbështetje buxhetore në shëndetësi që e ka zanafillën në mandatin e parë qeverisës të kryeministrit Edi Rama. Kontrata u firmos në vitin 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare SaniService –aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

Paketën më të madhe të aksioneve në këtë koncesion e zotëron Investital LLC- një kompani e vogël e themeluar me kapital 1 mijë euro në Kosovë nga Ilir Rrapaj. Sipas të dhënave të publikuar nga BIRN pak kohë më parë rezulton se Rrapaj u kthye në Shqipëri pas zgjedhjeve të vitit 2013 dhe para se të fitonte koncesionin, vendosi kontakte të shpeshta me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Elektrobisturia është pjesë e njërit prej seteve kirurgjikale, që kompania koncesionare “SaniService” i shet Ministrisë së Shëndetësisë për çmime që variojnë nga 16 mijë lekë deri në 45 mijë lekë (me TVSH) për çdo ndërhyrje.

Kontrata e Partneritetit Publik Privat për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale është në vitin e shtatë të operimit, dhe ka shënuar rritje të ndjeshme të kostove të parashikuara.

Anëtarët e komisionit që përgatiti studimin e fizibilitetit për koncesionin e sterilizimit i thanë Prokurorisë se qendra nuk ishte vënë në punë prej tetë vitesh për shkak të mungesës së stafit të trajnuar. Ata e përdorën atë si një argument më shumë se pse shërbimi duhej dhënë me koncesion.

Si nisën hetimet nga SPAK për aferën

I pari që u mor në pyetje nga prokurorët ishte anëtari e Komisionit të Koncesionit, Saimir Kadiu, si dhe më pas anëtarët e Komisionit të Tenderit. Procedura për sterilizimin e seteve kirurgjikale është dosja e parë e SPAK edhe ishte nën hetim prej 3 vitesh.

Kallëzimi u bë nga përfaqësues të Nismës Thurje, të cilët kanë denoncuar penalisht zyrtarët e përfshirë në dhënien me koncesion të procesit të sterilizimit.

Ata kanë kërkuar hetimin e zyrtarëve duke nisur nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, të cilët sipas tyre kanë abuzuar me buxhetin e shtetit.

beqaj spak