Aktualitet25 Qershor 2024, 16:55

Albana Koçiu tenton të lajë duart me skandalin te Onkologjiku: I kemi shkarkuar nga detyra mjekët e përfshirë

Shkruar nga Pamfleti

Albana Koçiu tenton të lajë duart me skandalin te Onkologjiku:

Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu ka tentuar të lajë duart lidhur me megaskandalin te Onkologjiku, ku mjekë dhe punonjës të spitalit abuzonin me detyrën, duke krijuar vështirësi për pacientët e prekur nga kanceri.

Edhe pse korrupsioni ka ndodhur nën hundën e qeverisë, pse jo edhe me urdhrin e saj, Albana Koçiu iu është shmangur përgjegjësive duke thënë se “këta persona nuk mund të përfaqësojnë bluzat e bardha”.

Në një deklaratë për mediat, Koçiu e cilëson si një ngjarje të paprecedentë, teksa shtoi se personat e përfshirë janë shkarkuar nga detyra dhe do të dënohen sipas ligjit.

“Ngjarje e paprecedentë. Jam e neveritur. Të gjithë personat përgjegjës do të ndëshkohen sipas ligjit, procedurave administrative dhe të jetë e qartë që këta lloj personash nuk mund të ndosin bluzat e bardha. Nuk përfaqësojnë bluzat e bardha që punojnë me profesionalizëm dhe nuk kanë vend në sistemin shëndetësor publik”, tha ajo.

Në qoftë se ky skandal do të ndodhte në një vend tjetër të botës, e para që duhet të jepte dorëheqjen duhet të ishte ministrja e Shëndetësisë, por në Shqipëri jo vetëm që kjo nuk ndodh por ajo nuk merr asnjë përgjegjësi dhe lidhur me rastin shprehet vetëm se “është i neveritshëm”.

Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës ka arritur të zbulojë skemën se si mjekë të spitalit të Onkologjikut shisnin ilaçe të spitalit tek subjektet private. Për të provuar ekzistencën e këtij dyshimi nga ana e prokurorisë u përdorën blerje të ilaçeve të stimuluara. Kryesisht u blenë ilaçe që përdorën për kimioterapi.

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Tiranës ka caktuar 8 masa "arrest shtepie" dhe "detyrim paraqitje" per mjekë të spitalit Onkologjik. Në hetim pjesë e dosjes së Onkologjikut janë zv/drejtoresha e QSUNT-së Brikena Qirjazi, 2 mjekë të spitalit të Onkologjikut, Edmond Gashi e Alketa Ymeri (Pere) dhe Koordinatori pranë këtij spitali, Emiljano Lela si dhe administratori i klinikës Megis, Halil Gashi dhe administratori i farmacisë Florian Marku.