Aktualitet26 Janar 2024, 14:05

Bashkia e Tiranës do të mbetet pa drejtorë

Shkruar nga Pamfleti

Bashkia e Tiranës do të mbetet pa drejtorë

Jo vetëm që një hetim ka nisur ndaj gjashtë figurave, të cilët mbajnë pozitë të lartë në bashkinë më të madhe të vendit, por ata edhe janë marrë në pyetje lidhur me çështjet që përmenden në një dosje të Prokurorisë së Posaçme.

Gjashtë drejtorë në Bashkinë e Tiranës mund të përballen shumë shpejt me drejtësinë e SPAK.

Kështu ka arritur të mësojë Albanian Post, përmes burimeve konfidenciale, ku akuzat kryesore lidhen kryesisht me shkelje dhe me afera korruptive në rang të lartë drejtuesish.

Gjithashtu, edhe çështje që kanë të bëjnë me favorizime të krijuara në tenderë të ndryshëm. Nga sa arrihet të kuptohet, jo vetëm që një hetim ka nisur ndaj gjashtë figurave, të cilët mbajnë pozitë të lartë në bashkinë më të madhe të vendit, por ata edhe janë marrë në pyetje lidhur me çështjet që përmenden në një dosje të Prokurorisë së Posaçme.

Hetimi i thelluar është deri në atë pikë, sa gjithçka pritet është vetëm urdhri nga prokurorët për aktakuzë zyrtare, i cili nuk bëhet i qartë se kur mund të vijë, pasi edhe vetë lufta mes drejtorëve duket të jetë shumë e ashpër. Ndër gjërat e përmendura në hetimet e SPAK, lexohet në detaje edhe se ka pasur fluturime charter, drejt dhe nga Podgorica, kryeqyteti malazez, të cilët janë të pajustifikuar.

Zanafilla kryesore për nisjen e këtyre hetimeve mund të ketë qenë edhe një pakënaqësi e brendshme karshi të gjithë këtyre drejtuesve, gjë që ka bërë edhe çështjen të avancojë me shpejtësi drejt SPAK. Sipas burimeve, asnjë prej rasteve nuk lidhet me çështjen e shumëpërfolur të Inceneratorëve, për të cilën më parë ka pasur arrestime edhe në nivel të lartë në Bashkinë e Tiranës.

Por, informacionet lidhen me aspekte të tjera të shkeljeve dhe aferave brenda institucionit, në nivele drejtuesish. Mbi këto, mund të shihet e udhës të publikojë detaje të mëtejshme të kësaj ngjarjeje, duke iu përmbajtur edhe sekretit hetimor sa i takon rrethanave specifike.

Kjo, edhe duke pasur parasysh se javën e ardhshme mund të ketë një goditje të radhës nga ana e SPAK, që mund ta shtyejë dosjen e drejtoreve. Profili i lartë mund të jetë në krye të lajmit javën që vjen, thonë burime në SPAK./Marrë nga Albanian Post

bashkia e tiranes drejtore