Aktualitet 2 Shkurt 2024, 09:59

Beqaj del nga SPAK-u: Mora të dhënat e laptopit që më sekuestruan

Shkruar nga Pamfleti

Beqaj del nga SPAK-u: Mora të dhënat e laptopit që më

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka folur pas daljes nga SPAK, i cili ka treguar arsyen e paraqitjes në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. 

Gjatë fjalës së tij, Beqaj tha se sot ishte dita e paraqitjes teksa shton se ka marrë të dhënat e laptopit që iu sekuestruan në apartamentin e tij më 28 dhjetor.

“Sot ishte e premte, që është dita e paraqitjes. Mora dhe hard drive me të dhënat e laptopit, që u sekuestruan në apartamentin tim në 28 dhjetor. Ditë të mbarë!”, tha ish-ministri.

Ai qëndroi për rreth 40 minuta në SPAK, në kuadër të procedurave për masën ‘detyrim paraqitje’.

Ndaj Beqajt, më herët është caktuar nga GJKKO masa e detyrimit të paraqitjes dhe ndalim dalje jashtë vendit pasi ish-ministri po hetohet për aferën e 'Sterilizimit'.

Kujtojmë se, teksa po zbaton masën e caktuar nga GJKKO për këtë çështje, një hetim paralel ka nisur për të për dyshime që lidhen me fondet e huaja, të koordinuara nga SASPAC, Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, ku Beqaj ishte drejtor.

SPAK ka dyshime për korrupsion dhe shpërdorim detyre të Beqajt, por nuk ka të regjistruar një procedim, ndërkohë që ndaj tij është ushtruar kontroll banese dhe janë sekuestruar telefoni, kompjuteri dhe dokumente të tjera. Kontrolle janë ushtruar edhe në banesat e 5 anëtarëve të tjerë të SASPAC.