Aktualitet22 Prill 2024, 20:17

DASH “shkund” qeverinë: Korrupsioni i shtrirë në të gjitha degët e qeverisjes, SPAK të godasë nivelet më të larta

Shkruar nga Pamfleti

DASH “shkund” qeverinë: Korrupsioni i shtrirë në

Korrupsioni ishte i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, përfshirë përmes prokurimeve publike dhe partneriteteve publike-private.

Departamentit amerikan i Shtetit, në raportin e publikuar sot për të Drejtat e Njeriut ka ‘nxirë’ Shqipërinë. Kjo pasi problemet kryesore në vendin tonë, gjatë vitit të kaluar vazhduan të jenë mangësitë me pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit, mungesa e mediave të pavarura dhe korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes e në organet e zbatimit të ligjit dhe në institucionet lokale.

Në raportin e DASH theksohet se nuk ka pasur ndryshime të konsiderueshme në situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri gjatë vitit 2023. Lidhur me korrupsionin, Departamenti i Shtetit vë në dukje se në përgjithësi qeveria e Shqipërisë e zbatoi legjislacionin që parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët publikë, por megjithatë thekson se ka pasur raportime të shumta për korrupsion në qeveri.

“Korrupsioni ishte i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, përfshirë përmes prokurimeve publike dhe partneriteteve publike-private, megjithëse autoritetet bënë përparim gjatë vitit në luftën kundër korrupsionit dhe drejt dhënies fund të mosndëshkimit”, thuhet në raport.

Në raport gjithashtu përmenden dhe arrestimet e nivelit të lartë nga SPAK-u dhe dënimet për raste korrupsioni, përfshirë dënimet për korrupsion dhe shpërdorim detyre të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe ish-sekretarit të tij të Përgjithshëm Alqi Bllako. Gjithashtu edhe rasti i ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në korrik SPAK-u lëshoi një urdhër-arresti ndërkombëtar për ish-zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Financave (dhe deputet i Partisë Socialiste) Arben Ahmetaj. Ai u largua nga vendi pasi parlamenti pranoi kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Ahmetajt që ai të mund të arrestohej me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie... Në tetor, SPAK njoftoi se po hetonte zyrtarisht ish-kryeministrin Sali Berisha për korrupsion pasiv lidhur me një marrëveshje toke nga e cila dhëndri i tij përfitoi rreth 5 milionë dollarë. SPAK arrestoi dhëndrin e Berishës, urdhëroi Berishën të paraqitej rregullisht në policinë gjyqësore dhe i ndaloi daljen nga vendi”, thuhet në raport.

Gjithashtu Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit njoftoi se deri në muajin gusht kishte referuar gjashtë çështje të reja për ndjekje penale, ku përfshihej një deputet, një prokuror, tre drejtorë në agjencitë qeveritare dhe një administrator në një kompani qeveritare. Akuzat përfshinin refuzimin e deklarimit të pasurisë, fshehjen e pasurisë ose falsifikimin e deklaratave të pasurisë; Pastrim parash; dhe evazion fiskal.

Duke folur për korrupsionin në policor, raporti thotë se vazhdoi të ishte problem, sidomos mes oficerëve të policisë së vijës së parë.

Pavarësia e gjyqësorit

Megjithëse kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit.

DASH shton më tej se vazhdoi zbatimi i procesit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurororët, në mënyrë që të përjashtoheshin nga sistemi ata që kishin pasuri të pashpjegueshme, ose lidhje me krimin e organizuar.

Avokati i Popullit vlerësoi se gjyqësori kishte bërë përparim drejt krijimit të një sistemi më të pavarur, por shtoi se nevojiteshin më shumë burime”, thotë raporti.

Sipas raportit sistemi gjyqësor po bëhet më i pavarur falë procesit të vetingut dhe veprimeve të SPAK-ut, megjithatë vihet në dukje se qytetarët janë ankuar për mungesë transparence në hetime, zvarritje të konsiderueshme të proceseve dhe vendime të padrejta gjyqësore.

DASH thotë se megjithëse kushtetuta dhe ligji parashikojnë të drejtën për një gjykim të drejtë dhe publik, dhe se gjyqësori në përgjithësi e zbatoi këtë të drejtë...

Komiteti Shqiptar i Helsinkit vuri në dukje se çështjet e prapambetura të grumbulluara, vendet vakante në gjyqësor dhe mungesa sistematike e efikasitetit, minuan besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, thuhet në raport.

Shumica e ankesave nga qytetarët kishte të bënte me mungesën e përgjigjes nga organet qeveritare ndaj shqetësimeve të tyre, shkeljet e procesit të rregullt ligjor, gjykimet dhe dënimet e padrejta.

Në raport përmenden shqetësimet për proceset gjyqësore administrative lidhur me padinë e ngritur nga Fondacioni Gulistan për mbylljen e shkollës së mesme të vajzave “Mehmet Akif Ersoy” dhe kopshtit të fëmijëve “Zubeyde Hanim” në vitin 2022.

DASH thotë se Komiteti Shqiptar i Helsinkit vërejti se “palët nuk u trajtuan në mënyrë të barabartë gjatë gjykimit” dhe se kishte pikëpyetje në lidhje me paanshmërinë e gjyqtarëve.

dash spak