Aktualitet21 Maj 2024, 19:50

David Cameron nesër në Tiranë, zbardhet agjenda e takimeve dhe çështjet që do të diskutohen

Shkruar nga Pamfleti

David Cameron nesër në Tiranë, zbardhet agjenda e takimeve dhe

Sekretari i Jashtëm britanik David Cameron mbërrin ditën e nesërme në Tiranë për një vizitë zyrtare. Cameron do të zhvillojë një takim me kryeministrin Edi Rama dhe në orën 12:50 do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në orën 14:30, sekretari i Jashtëm britanik do të jetë në Presidencë, ku do të pritet nga kreu i shtetit, Bajram Begaj. Ambasada Britanike në Tiranë ka zbardhur fokusin e vizitës së Cameron, ku në qendër do të jetë emigracioni i paligjshëm.

Ambasada njofton se Cameron do të prezantojë një plan që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

“Si pjesë e lidershipit në rritje të Mbretërisë së Bashkuar për të gjetur zgjidhje për sfidën pan-evropiane, Sekretari i Jashtëm britanik do të udhëtojë në Shqipëri këtë javë për t’u takuar me Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm shqiptar për të diskutuar mbi bashkëpunimin Shqipëri-Britani e Madhe, për kontrollin e emigracionit të paligjshëm në vijën e parë të frontit.

Sekretari i Jashtëm britanik do të nënvizojë suksesin e partneritetit tonë inovativ për t’i bërë ballë trafikantëve të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm si dhe ndikimin e investimeve britanike në parandalimin e emigracionit.

Sekretari i Jashtëm do të mbështetet në lidershipin e Mbretërisë së Bashkuar në trajtimin e krimit të organizuar duke njoftuar një program të ri që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, si dhe ofrimin e ekspertizës së Mbretërisë së Bashkuar për Policinë Shqiptare, për axhendën e tyre të reformës”, njofton ambasada britanike.