Aktualitet22 Qershor 2024, 16:04

Duhet t’i hiqet apo jo mandati Sali Berishës? Flasin juristët

Shkruar nga Pamfleti

Duhet t’i hiqet apo jo mandati Sali Berishës? Flasin juristët

Pas datës 21 qershor, mandati i deputetit Sali Berisha vihet në pikëpyetje, për shkak se plotësohen 6 muaj që nuk ka shkuar në Parlament. Në nenin 71 të Kushtetutës shkruhet se, deputeti e humbet mandatin kur mungon mbi 6 muaj rresht pa arsye në seancat e Kuvendit. Sipas juristit Sokol Azizaj, kushtetuta prevalon, por në rastin kur nuk ka vendim të formës së prerë, në lojë hyn rregullorja e kuvendit.

Azizaj shton se në momentin kur Kuvendi nuk është shprehur brenda afatit të caktuar lidhur me arrestin e deputetit, bëhet e pamundur ndërprerja e mandatit.

Ndërprerja e mandatit në këtë rast mund të bëhet për shkak të masës së sigurimit, por masës së sigurimit të arrestit, jo parashikuar në Kushtetutë, por në rregulloren e Kuvendit, nuk ka vënë në lëvizje Komisionin e Mandateve dhe Rregullores së Kuvendit brenda dy ditëve. Në këto kushte nuk mund tja ndërpresësh sipas rregullores”, u shpreh Azizaj në "RTSH".

Ndërsa  Juristi Jordan Daci thotë se mungesa e Sali Berishës është me arsye dhe duke iu referuar kushtetutës nuk mund ti hiqet mandati.

Sa kohë nuk bëhet fjalë për një vendim përfundimtar të tij, por vetëm për një masë sigurie e cila bazohet në prezumimin e pafajësisë, për mua mungesat janë me arsye. Për rrjedhojë nuk mund të jetë subjekt i heqjes së mandatit për shkak të mungesës sepse kjo mungesë është e arsyetuar”, theksoi Daci.

Por juristët bashkohen në pikën ku palët mund ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese për çështjen në fjalë.

Interpretimi i nenit 71 të Kushtetutës si dhe rregullorja e kuvendit mund të sjellë përplasjen e radhës mes mazhorancës dhe opozitës, pasi socialistët do të kërkojnë heqjen e mandatit të ish-kryeministrit, ndërsa opozita do të këmbëngul që lideri i saj të vijojë të jetë pjesë e Kuvendit.