Aktualitet25 Shkurt 2024, 21:00

Çfarë fshihet pas ‘heshtjes’ dy mujore të SPAK-ut?

Shkruar nga Pamfleti

Çfarë fshihet pas ‘heshtjes’ dy mujore të SPAK-ut?

Thënë të gjitha këto, në dy muaj “heshtje”, Prokuroria e Posaçme duket se ka qenë e zënë duke marrë direktivat e fundit nga aleatët ndërkombëtarë. Këta të fundit po u mësojnë “sekretet” e tyre profesionale prokurorëve të SPAK-ut, në mënyrë që në goditjet e radhës, të mos ju lihet “shteg” për të manovruar “mamuthëve” të korrupsionit

Që në momentin kur GJKKO vendosi që ish-kryeministri, Sali Berisha të futej në arrest shtëpie, të gjithë menduan se erdhi “ora e drejtësisë” dhe se petku i të paprekshmëve kishte rënë.

Por që pas atij vendimi, ritmi i SPAK-ut duket se ka rënë ndjeshëm dhe po bëhen gati 2 muaj që nuk kemi dëgjuar për goditje të mëdha, paçka se për afera korruptive flitet për ditë me fakte nëpër media.

Por përse kjo “heshtje” e SPAK-ut, a po paralajmëron ajo një “stuhi” të fuqishme në ditët në vijim?

Përgjigja është po, dhe janë tre elementë kyç të cilët prej ditësh kanë dhënë alarmin se “stuhia” e drejtësisë po vjen dhe se shumë shpejtë do të kemi veprime konkrete.

Elementi i parë është ai i vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken i cili i dha mbështetjen e pakushtëzuar të SHBA-ve, krerëve të lartë të drejtësisë në vend. Blinken u takua me kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaça, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Artur Metani dhe kryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në një takim që zgjati 10 minuta, përmbajtja e të cilit mbetet një mister.

Por më të qarta i bëri gjërat një postim i Sekretarit të Shtetit në rrjetin e social “X”, ku pas vizitës në Shqipëri, Blinken theksoi qartë se reforma në drejtësisë dhe lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbetet prioriteti kryesorë i SHBA-së. Një mesazh ky i qartë se SPAK-u duhet të godasë lartë në radhët e korruptuara të politikës shqiptare.

Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Diskutova me kryministrin Rama bashkëpunimin tonë për të avancuar stabilitetin rajonal, mbrojtjen kibernetike dhe reformën gjyqësore”, shkruante Blinken në platformën “X”.

Elementi i dytë ishte ai i nënshkrimit të memorandumit të Bashkëpunimit, mes Drejtuesit të SPAK, Altin Dumani dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Anti-krimit të Mbretërisë së Bashkuar, Graeme Biggar.

Objekti kryesor i këtij bashkëpunimit mes SPAK dhe Agjencisë Kombëtare të Anti-Krimit NCA, është informacioni për llogaritë bankare dhe pasuritë, që zyrtarët shqiptarë kanë fshehur atje, nëpërmjet transferimit, krijimit të bizneseve e të tjetërsuara te persona apo biznese të tjera.

Për të kaluar në filtër e futur në rrjet, këto pasuri që janë vënë me korrupsion e krime në Shqipëri; më 1 mars 2024, në Britani do shkojnë 6 agjentë të BKH, të shoqëruar nga 3 ekspertë të FBI që janë me mision ndihme pranë SPAK e BKH.

Kjo lëvizje ka alarmuar të gjithë pushtetarët e korruptuar të cilët kanë fshehur pasurit e tyre në Britani. Duke nisur nga Ilir Meta, drejtori aktual i Tatimeve, Ceno Klosi, gruaja e Sekretarit të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, gruaja e drejtorit aktual të Doganave, Genti Gazheli, disa ministra, deputetë, sekretarë të përgjithshëm të ministrive, drejtorë qendrorë, krye bashkiakë, komisionerë të vettingut, gjyqtarë, prokurorë, krye policë e deri dhëndri anglez i Vilma Nushit, të ciltë dihet se kanë transferuar e fshehur pasuri në Britani. Por mesa duket ka nisur numërim mbrapsht dhe shumë shpejt, të gjithë me radhë do të bien në “kthetrat” e drejtësisë.

Elementi i fundit por jo nga rëndësia ishte takimi që prokurorët e SPAK zhvilluan pak ditë më parë me përfaqësues të Lartë të Zyrës për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Kroacisë (USKOK) dhe me përfaqësues nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (OPDAT)! Në takim u fol për shkëmbim informacioni, veçanërisht në trajtimin e rasteve te pastrimit të parave në Kroaci, sidomos transaksionet e pasurive të paluajtshme, që përfshijnë kompani guaska dhe fonde që vijnë nga ose kalojnë përmes Shqipërisë.

Takimi i iniciuar nga SHBA-ja kishte si qëllim për t’i treguar SPAK-ut, një model të një drejtësie të re, e cila ka dhënë rezultatet e duhura në rrugën kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe reformat legjislative të ndërmarra si pjesë e procesit të pranimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian.

Thënë të gjitha këto, në dy muaj “heshtje”, Prokuroria e Posaçme duket se ka qenë e zënë duke marrë direktivat e fundit nga aleatët ndërkombëtarë. Këta të fundit po u mësojnë “sekretet” e tyre profesionale prokurorëve të SPAK-ut në mënyrë që në goditjet e radhës, të mos ju lihet “shteg” për të manovruar “mamuthëve” të korrupsionit./Pamfleti

spak