Aktualitet23 Maj 2024, 14:04

Goditja e grupeve kriminale, eksperti i kriminalistikës: Dy momente ku Altin Dumani nuk mund të shfajësohet

Shkruar nga Pamfleti

Goditja e grupeve kriminale, eksperti i kriminalistikës: Dy momente ku
Eksperti i kriminalistikës, Artan Rexhepi ka komentuar deklaratën e kreut të SPAK Altin Dumani për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Rexhepi deklaroi se për Sali Berishën, është dhënë një vendim nga gjykata dhe ligji ka vepruar.

Më tej eksperti theksoi se një nga shqetësimet që Dumani vuri në dukje të mërkurën gjatë raportimit të tij para deputetëve, ishte ajo e përfshirjes së policisë me krimin, ndërsa e cilësoi si një situatë ulëritëse.

“Le ta linte në kuadrin e veprimit të ligjit. U shkel masa e sigurisë, për mendimin tim është gabim taktik i avokatëve. Strategjia e tyre, nuk e di si e kanë menduar. Ndoshta e ka zgjedhur Berishën si një nga politikanët më të fortë. Nuk dua të përfshihem nga akuzat. Në gjykimin tim, unë problemin e policisë, e kam ngritur më përpara, situata është ulëritëse. Zoti Dumani ka dy momente. E para, duket sikur ai shfajësohet, se nuk ka mbështetjen e policisë. E dyta, është fjala për përfshirje në veprimtari kriminale, por më shumë se kujtdo, duhet t’ia thotë vetes. Në Kosovë u pastrua elita politike me gjykatën ndërkombëtare që e krijuan vetë, kam përshtypjen edhe këtu”, tha Rexhepi për ABC News.

Sipas Rexhepit, do duhej që përballë Altin Dumanit, të ishte një grup juristësh në mënyrë që atij t’i bënin pyetje më profesionale.

“M’u duk se një pjesë e mirë e deputetëve bënin pyetje jo profesionale. Zoti Dumani ka marrë ngarkesë të madhe. Duket se suporti amerikan, një varësi nga SHBA e ka, por është varësi e mirë. Duhet të kishte përballë një elitë juristësh. Ta ngrinin pak nivelin. Zoti Dumani është në të drejtën e tij. Siguria absolute nuk i duhet dhënë shqiptarëve. Unë jam për qarkullimin e elitave. Për mendimin tim, votimi i diasporës do të shfaqë probleme”, theksoi eksperti.