Aktualitet23 Prill 2024, 07:20

Hard disk 23 mijë euro për të vjedhur të dhënat? Klodiana Lala tregon çfarë ndodhi me TIMS-in

Shkruar nga Pamfleti
Hard disk 23 mijë euro për të vjedhur të dhënat?
Klodiana Lala

Gazetarja Klodiana Lala ka sqaruar se çfarë ka ndodhur në lidhje me vjedhjen e të dhënave në sistemin TIMS. 

Sipas saj, sinjali i parë ka ardhur nga shefi i sektorit në Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit (DTI), Ardit Muço, që u ka nisur email Drejtorit të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumballuku, e për dijeni Ambasadës së SHBA-së, SPAK e disa institucioneve të tjera se diçka e paligjshme po ndodhte në serverin e sistemit TIMS dhe jepeshin detaje për mënyrën si po ndodhte.

Në datën 4 Gusht gazetarëve u është shpërndarë nëpërmjet adresave elektronike nga jashtë shtetit një email ku informonte për këtë histori.

“Rezulton që në datën 4 Gusht, AMP dhe Policia e Shtetit kanë bërë një kallëzim penal në prokurorinë e Tiranës. Fillimisht AMP e ka bërë vetëm për vlerësim, nuk ka sjellë detaje. Policia e Shtetit ka çuar të dhëna që kishin të bënin me dyshime të mundshme që serveri mund të ishte kopjuar”, tha gazetarja Lala.

Serveri i TIMS është në rrugën Mine Peza, ngjitur me burgun 302 në Tiranë. Ai i është dhuruar Shqipërisë nga SHBA dhe funksionon prej vitit 2004.

Lala tha më tej se në muajin qershor, Ervin Muça është emëruar, i marrë nga jashtë sistemit për shërbime të veçanta, drejtor i Teknologjisë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit, por nuk ka pasur certifikatë sigurie.

“Është marrë jashtë sistemit. Janë dhjetëra qindra punonjës të policisë të cilët janë të specializuar për çështje të teknologjisë. Nuk është emëruar asnjë prej tyre, por është marrë një person që brenda ditës… Ai ka punuar këshilltar i jashtëm pranë drejtoreshës së përgjithshme të Kadastrës zonjës Dallëndyshe Bici. Ka punuar në drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve kur ndodhi skandali me vjedhjen e të dhënave në Tatime. Është pikërisht një prej tyre. Ka qenë i hetuar dhe në atë kohë në gjendje të lirë”, tha Lala.

“Në momentin që mbërriti filloi të bënte rekrutimet e para. Një nga të rekrutuarit ishte motra e Dallëndyshe Bicit. Njerëz që kishin rekorde. Njëri prej këtyre personave që kishte rekorde ishte motra e Dallëndyshe Bicit e cila ishte nën hetim dhe nën gjykim nga GJKKO për shkelje të sigurisë në tendera. Emëron si vartës të tij Besjan Tonuzin i cili rezulton në dosjen hetimore, por edhe në të gjitha raportet hetimore. Ervin Muça sipas dëshmive të punonjësve të DTI-së i ka kërcënuar ata dhe u ka kërkuar që ta ndihmonin për të kaluar në një hard disk të jashtëm pra sistemi do të aksesohej përmes një laptopi dhe në laptop do të vendosej një hard disk i jashtëm që vetëm hard disku kushtonte rreth 23 deri në 25 mijë euro. 23 mijë Euro është blerë vetëm hard disku i jashtëm për t’u hedhur i gjithë dokumentacioni dhe do të jap çfarë është gjetur në atë dokumentacion. Kjo është një dosje që është top sekret”, tha Lala.

Sipas  Lalës, Muça më 2 Gusht ka përdorur kartën e një punonjëse të tij, duke mos hyrë me kartën e tij në server. Këtu ka hasur në kundërshtinë e shefit të sektorit.

“Ka thënë që ne duhet t’i hedhim në hard diskun e jashtëm, të ruhen në kasafortë në policinë e Shtetit me qëllim që ndodh ndonjë sulm duhet t’i kemi të mbrojtura. Ardit Muço ka thënë jo. Së pari sepse ka protokolle për të marrë kodin e sigurisë. Së dyti thotë unë nuk mund ta dorëzoj në telefon dhe së treti Ardit Muço ka bërë një email të gjithë punonjësve aty dhe ka thënë ju po bëni një vepër penale. Duhet përgëzuar ai djali. Është sot në rrugë”, tha ajo.

Sipas Lalës, në momentin që ka dërguar këtë email Ervin Muça i ka ndërprerë aksesin në server duke e nxjerrë jashtë sistemi. Kështu nga mesdita e datës 2 Gusht deri në orët para të datës 3 Gusht kanë hyrë persona të paautorizuar, sipas saj.

“Njëri prej tyre është Klodian Mazari që është me detyrë përgjegjës sektori në AKSH dhe një vajzë e identifikuar me emrin Marjana Shehi e cila nuk është punonjëse”, tha Lala.

“Të gjithë punonjësit thonë që Klodian Mazari është mik i drejtorit dhe drejtori e solli që ta ndihmonte për të kopjuar të dhëna”, shtoi ajo.

klodiana lala