Aktualitet22 Prill 2024, 11:16

Molotovi para bashkisë Tiranë, lirohen nga qelia 4 protestuesit

Shkruar nga Pamfleti

Molotovi para bashkisë Tiranë, lirohen nga qelia 4 protestuesit

Katër protestuesit e Rithemelimit dhe të Partisë së Lirisë, të arrestuar pas protestës para bashkisë së Tiranës mesditën e 19 prillit, janë liruar nga qelia.

Gjykata e Tiranës ka caktuar sot masën 'detyrim paraqitje' dhe ndalim i marrjes pjesë në vendet publike ku ka grumbullime, për të 4 protesuesit.

Konkretisht në masën detyrim paraqitje janë lënë Kevin Vidrica, Bernard Metaliaj, të dy 18 vjeç, Franc Kaloshi, 35 vjeç dhe Artan Muçmata, 53 vjeç.

Në mbështetje te tyre kanë qenë të pranishëm në gjykatë disa qytetare dhe deputetë të Rithemelimit.

'Kam qenë në protestë. Jam anëtar i kryesisë së PD-së në Laprakë, jam biznesmen. Nuk kam qëlluar asnjë. Kam respekt për uniformën e policisë së shtetit. Kërkoj nga drejtësia vetëm drejtësi.'- tha Franc Kaloshi.

Ndërsa Artan Muçmata, tha pas kafazit prej xhami se policia i ka keqtrajtuar.

“Na kanë trajtuar… edhe rripin e pantallonave na kanë hequr.’- tha njër prej tyre.

Në kërkim janë shpallur 7 protestues, ata janë Avni Tobli, Rubin Dashi, Joni Hoxha, Besim Ziri, Besar Gjeçaj, Erjon Prenga dhe Alfred Pellumbi.