Aktualitet26 Janar 2024, 11:41

Nënkomisari u vetëvra me armën e shërbimit, flasin kolegët dhe të afërmit: E papritur, dhimbje e madhe për ne

Shkruar nga Pamfleti
Nënkomisari u vetëvra me armën e shërbimit, flasin
Kolegu i Arben Pjeçit

Nënkomisari Arben Pjeçi, i cili u vetëvra me armën e shërbimit në komisariatin e Durrësit është përcjellë për në banesën e fundit. Kolegë, miq e familjarë janë të prekur nga kjo ngjarje.

Dhimbja për të afërmit është e madhe, teksa shprehen se kjo ngjarje ishte e papritur. 56-vjeçarin e kujtojnë si djalë punëtor, të ndershëm e me sedër.

“E papritur. E njoh për njeri të mirë. Askush nuk thotë asgjë, ishte e papritur. Shumë dhimbje”, u shpreh një prej të afërmve.

“Djalë më i mirë nuk gjendet. Jam komshiu, çun me sedër, çun i paparë. Kemi qenë komshinj, u çuditem mbrëmë, ka pasur sedër të madhe”, tha një tjetër.

“I sinqertë i ndershëm, u habitëm kur ndodhi kjo ngjarja. E kam kunatin e mbesës. E njoh edhe te puna. Shqetësime nuk kishte, por më bënte përshtypje se ishte shumë i sinqertë, i ndershëm. Punonte i shkreti. U hap dera me zor, e gjetën të vrarë. Kishte gjuajtur te zemra”, thonë të afërm e kolegë.

Një moment prekës është edhe kur një prej kolegëve të tij shpërthen në lot, teksa thotë se e ka pasur si vëlla.

“E kam pas shumë mik, nuk mund të shprehem. E merrja këtu se kisha makinën, e çoja në Divjakë e shkoja me të. E kam pas si vëlla. Kam punuar para gjashtë vjetëve me të, këtu e takoja shpesh herë. E kam pas shumë mik, e shumë vëlla”, shprehet ai.

Efektivi qëlloi veten ditën e djeshme me armën e shërbimit pasi ishte në gjendje të rënduar psikologjike. Ai u njoftua me vendimin për ta larguar përfundimisht nga radhët e policisë. Lirimi nga detyra ishte firmosur nga kryepolici Muhamet Rrumbullaku pas një vendimi të formës së prerë të gjykatës së Durrësit që e dënoi efektivin 56 vjeçar me punë në komunitet për plagosje të lehtë pas një sherri me komshiun dy vite më parë.