Aktualitet21 Maj 2024, 18:06

Nga Durim Bami te Leonard Duka, si bandat përdornin femra të bukura për të futur në kurth rivalët; Vis Martinaj u pa në Jug me një vajzë

Shkruar nga Pamfleti
Nga Durim Bami te Leonard Duka, si bandat përdornin femra të bukura
Bami, Ndoka dhe Martinaj

Arben Ndoka mendoi që të fuste në lojë një vajzë, e cila do afrohej me Durim Bamin dhe ta informonte...

Zbardhen të tjera detaje nga dosja e SPAK, lidhur me aksionin e javës që shkoi për goditjen e kokave të krimit në vend. Përveç kapjes së policisë dhe aleancave për të eliminuar kundërshtarët, bie në sy fakti se grupet rivale kanë futur në lojë dhe femra të bukura.

Mes shumë rasteve, në dosje tregohen dy episode që dëshmojnë se si Arben Ndoka dhe grupi i Ervis Martinajt kanë futur në lojë vajza për të vrarë Durim Bamin dhe Leonard Dukën.

Sa i takon vrasjes së Durim Bamit, në dosje tregohet se si ai është ndjekur deri në Ksmail, ku dyshohej se ishte me pushime. Arben Ndoka dhe Vis Martinaj kanë dërguar njerëz në terren për ta monitoruar, por nuk organizuan atentat nga frika se në atë zonë mund të arrestoheshin nga policia.

Më pas, ata mendojnë që të fusin në lojë një vajzë, e cila do afrohej me Durim Bamin dhe t’i informonte, skemë që nuk u ka ecur.

Më datë 29.07.2020, shtetasi Arben Ndoka komunikon me shtetasin Elvis Ndreca dhe diskutojnë në lidhje me një femër të cilën dyshohet se Elvis Ndreca e ka angazhuar që të afrohet me shtetasin Durim Bami ose lidhjet e tij me qëllim lokalizimin e tyre. Arben Ndoka i shkruan: ...a iku ajo goca? Elvis Ndreca i shkruan: ...po, kto 3 dit futet, ne aksion ajo, me na tregu cdo levizje tyne, tha rrin D (Durim Bami) te lokali, rrin tê gjithè grumbull. Ka ba nje lokal te ri tha D. Eshte i atij e ka pa Samo te lokali”, thuhet në dosjen e siguruar nga "Pamfleti".

E njëjta skemë është përdorur për të futur në kurth Leonard Dukën, rivalin e Vis Martinajt. Sipas dosjes, Martinaj dhe djali i tij i tezes Kristos Teta kanë gjetur një vajzë të bukur, të cilën e kanë instruktuar që të afrohet me Dukën dhe t’i informojë ata për çdo lëvizje.

Duka e “ha” karremin dhe tërhiqet nga vajza. Fillimisht e fton për një kafe dhe në momentin që grupi i Martinajt bëhet gati për atentat, ai e anulon. Më pas ai e fton për darkë në një restorant në Linzë dhe aty vajza shkon, por sërish atentati dështoi.

Ervis Martinaj ka angazhuar lidhjen e tij shtetasin Kristos Teta (njëkohësisht djali i tezes) për sigurimin e informacioneve ne lidhje me vendndodhjet e shtetasve Leonard Duka dhe lidhjeve te tij. Shtetasi Kristos Teta me qëllim lokalizimin e shtetasit Leonard Duka ka angazhuar në mënyrë konstante një femër të cilës i ka kërkuar që të krijojë njohje, ta takojë dhe të krijojë lidhje me shtetasin Leonard Duka me qëllimin që ta informojë për vendet qe frekuenton ky i fundit dhe automjetet që përdor. Siç ilustrohet në këtë episod, femra e aktivizuar nga shtetasi Kristos Teta e lajmëron këtë të fundit që do të takohet me shtetasin Leonard Duka më datë 16.07.2020 në afërsi të zonës së quajtur Selvia. Në ndjekje të këtij informacioni është angazhuar shtetasi Erigers Mihasi dhe persona të tjerë ende te pa identifikuar për të planifikuar atentatin ndaj shtetasit Leonard Duka duke u pozicionuar me automjet dhe armatim në zonën e Lokal "Oslo" në pritje të takimit të shtetasit Leonard Duka me femrën e angazhuar nga Kristos Teta. Në këtë datë nuk është realizuar takimi dhe për këtë arsye shtetasi Erigers Mihasi është tërhequr”, shprehet SPAK.

Ky takim është realizuar më datë 20.07.2020 ku femra e angazhuar nga shtetasi Kristos Teta ka njoftuar këtë të fundit që do të darkojë bashkë Leonard Duka dhe një shokun e tij tek restorant "Markata e Peshkut", në Linzë. Sipas SPAK, në këtë takim dyshohet se ka marrë pjesë shtetasit Leonard Duka, Erlis Duka dhe personi me emrin Leksi ose vëllai i tij.

Femra e angazhuar nga Kristos Teta e ka informuar këtë të fundit për detaje të darkës, personat pjesëmarrës ne takim dhe automjetet që këta persona kanë përdorur. Kristos Teta në të njëjtën kohe ka njoftuar shtetasin Ervis Martinaj duke e furnizuar me këto informacion dhe duke ju shprehur që ka dëshirë të jetë vete aty që të qëllojë mbi ta”, theksohet në dosje.

Në dosje tregohet dhe një rast kur klani Duka donte të vriste Martinajn. Leonard Duka kishte siguruar një informacion që Ervis Martinaj mund të ishte në plazh me një femër në Dhërmi tek një vend i njohur si "Vin Bakalli”, Hotel Jaht ose Splendor dhe këtë ia ka bërë me dije Fatmiri Hysenit. Sapo ka marrë informatat, "Doqja" është vënë në lëvizje.

Ai ka dërguar një person që i drejtohet me emrin "nipçe" për të shkuar në atë zonë që të verifikonte këtë informacion. Gjithashtu, edhe në datat 28-29 dhe 30 Korrik 2020, Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni kanë angazhuar persona për monitoruar zonën e plazhit Dhërmi-Himarë me qëllim konstatimin e shtetasit Ervis Martinaj.

Në kuadër të aksionit të SPAK, Leonard Duka është arrestuar në Belgjikë. Ai u arrestua një vit më parë, por u lirua. Mirëpo këtë herë policia e ka ndaluar sërish. Ai ka kërkuar azil atje dhe mbet të shihet nëse do të realizohet ekstradimi. /Pamfleti