Aktualitet26 Shkurt 2024, 09:40

Ngjarja në Durrës, avokatja: Fakti më tronditës është vijimi normal i jetës nga fëmijët pas krimit

Shkruar nga Pamfleti
Ngjarja në Durrës, avokatja: Fakti më tronditës
Pëllumb Meta dhe Hygerta Meta

Ngjarja e rëndë në Shënavlash të Durrësit ku tre fëmijetë e familjes Meta që kanë vrarë babain e tyre dhe e groposën më pas në kasollen e bagëtive ka tronditur mbarë opinionin publik.

Lidhur me këtë sociologia Alkida Myftaraj, teksa ka analizuar të gjithë situatën, ka deklaruar se shqiptarët janë në shoqëri që dhunën e kanë kthyer në normalitet. Ajo shtoi se si shoqëri, jemi mësuar që fjalës së babait nuk i themi asnjë herë jo, madje as nëna.

“Ne jemi një shoqëri, që mund të vendosim për fatin e fëmijëve dhe mos i lëmë ata të lirë. Kjo është trashëguar breza pas brezi, edhe pse ka ardhur drejt sfumimit për shkak të shkollimit. Ne si shoqëri, fjalës së babait nuk i themi dot jo, madje as nëna.

 Në kulturën e familjes shqiptare, nuk është të shkojmë në polici dhe të tregojmë problemet tona jashtë shtëpisë dhe të dukemi si një familje e rregullt. Ky është një problem që ka ndodhur rëndomtë dhe mendojmë që një fëmijë të vogël ta dhunojmë nëse nuk na dëgjon. E kemi normalizuar dhunën.

Dhuna në vetvete ndikon. Nëse rritesh në familje të dhunshme, do të jesh një njeri i dhunshëm”, tha sociologia.

Nga ana tjetër, avokatja Anxhela Lami teksa ka analizuar deklaratat që janë bërë publike të fëmijëve, por edhe fqinjve, ka treguar disa deklarata kontradiktore. Ajo thotë se dëshmia e vajzës së donte ta fejonte me zorr, bie poshtë në momentin kur personi që donte të lidhte krushqi është tërhequr kur u njoh me dëshirëm e familjes Meta për shkollimin e 19-vjeçares.

Shqetësuese sipas avokates është edhe fakti që fëmijët vijuan me normalitetin e jetës, edhe pas ngjarjes shumë të rëndë.

“Kjo është ngjarja më e rëndë. Një baba autoritar, sigurisht që do jetë sepse është autoritar. Nëse ka qenë baba i dhunshëm kam një pikëpyetje. Bashkëshortja e tij nuk e ka denoncuar sepse jemi një shoqëri që i nënshtrohet dhunës, por fëmijët që kanë qenë të shkolluar nuk e justifikon veprimin, por edhe që nuk ka një denoncim. Familja në këtë rast ka pasur probleme psikologjike.

Deklarata e bashkëshortes së viktimës, bie ndesh me deklaratat e fëmijëve. Si avokate më lindin edhe disa pyetje, nëse e ke bashkëshort nuk është normale të mos e telefonosh kur nuk vjen në shtëpi për dy ditë? Më shqetëson vijimi i jetës në normalitet i fëmijëve, pa i brerë ndërgjegjja, ku qetësisht kanë ngrënë dhe fjetur. Është edhe kontradita e fejesës, ku familja që donte të lidhte krushqi u tërhoq sapo u njoh me dëshirën e tyre për tu arsimuar. Janë disa përplasje që organet kompetente do e zbulojnë”, tha avokatja.

Tre fëmijët e Pëllumb Metës do të dalin sot para gjylatës ku edhe do të njihen me masën e sigurisë. Djali i madh i familjes dhe vajza akuzohen për vrasjen e babait të tyre, ndërsa djali i vogël është arrestuar për moskallëzim krimi.

pëllumb meta krimi në durrës