Aktualitet30 Nëntor 2023, 21:03

Samiti i OSBE-së/ Ministrat e rajonit nënshkruajnë deklaratën për luftën kundër korrupsionit

Shkruar nga Pamfleti

Samiti i OSBE-së/ Ministrat e rajonit nënshkruajnë

Ministrat nga rajoni e kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për luftimin e korrupsionit në Evropën Juglindore përmes konfiskimit dhe digjitalizimit të aseteve, të enjten gjatë Këshillit Ministror të OSBE-së, që po mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut më 30 nëntor dhe 1 dhjetor.

Përpjekjet bashkëpunuese janë thelbësore për të trajtuar në mënyrë efektive këtë sfidë komplekse. Duke pranuar se korrupsioni nuk njeh kufij, nënshkruesit zotohen të punojnë së bashku për të parandaluar, hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin në të gjithë Evropën Juglindore. Vetëm përmes veprimeve kolektive mund të bëjmë përparim të rëndësishëm në çrrënjosjen e korrupsionit”, thuhet në deklaratën e miratuar.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se korrupsioni kërcënon sigurinë dhe mirëqenien ekonomike dhe se nënshkrimi i deklaratës nënkupton përkushtimin e tyre “në nivelin më të lartë të mundshëm”.

Me nënshkrimin e deklaratës theksojmë vendosmërinë tonë dhe angazhimin e pakushtëzuar që të punojmë së bashku për të parandaluar korrupsionin në Evropën Juglindore. Kundër korrupsionit do të luftojmë me vendosmëri përmes hetimeve financiare dhe digjitalizimit”, tha Osmani.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, e theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar “që lufta kundër korrupsionit të jetë e mundur”.

Ne e quajmë veten kampion të korrupsionit, por nuk jemi. Aty ku ka para ka korrupsion. Marrja e provizionit në perëndim është e ligjshme, por këtu është korrupsion. Më vjen keq që ata nuk e nënshkruajnë këtë, ata duhet ta bëjnë të parë”, tha ai.

Ministri serb e akuzoi Perëndimin për korrupsion duke thënë se “dyshoj se ne jemi më të korruptuar se ata. Dua vetëm që të mos na japin mësime nga anash”.

Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, tha se korrupsioni është një “realitet politik në Ballkan dhe për këtë arsye njerëzit po shpërngulen”.

Shefi i diplomacisë malazeze, Filip Ivanoviq, tha se OSBE-ja duhet të forcojë rolin e saj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, ndërsa homologu i tij nga Shqipëria, Igli Hasani, tha se kjo luftë duhet të jetë prioritet dhe mbetet vullnet politik për të bërë diçka më shumë në këtë fushë./REL

osbe deklarata