Aktualitet26 Shkurt 2024, 09:26

Shkurti mbyllet me temperatura të larta, meteorologia tregon çfarë pritet të ndodhë me motin në ditët në vijim

Shkruar nga Pamfleti

Shkurti mbyllet me temperatura të larta, meteorologia tregon

Kjo javë do të jetë kryesisht në kushte të qëndrueshme atmosferike. Meteorologia Lajda Porja tha se deri të mërkurën do të ketë kthjellime me vranësira kalimtare ndërsa të enjten do ketë shtim të tyre. Reshjet do të jenë të pakta në jug dhe juglindje ndërsa të premten do të preket i gjithë territori.

“Kjo javë do të jetë kryesisht në kushte të qëndrueshme atmosferike. Të mërkurën moti do të jetë kryesisht i kthjellët, me vranësira të lehta dhe kalimtare. Parashikohet që në fakt të përjetojmë edhe temperatura të larta. Zonat malore do të luhaten nga 5-16 gradë, zonat e ulëta nga 8 dhe maksimalet edhe 21 gradë ndërsa nga 10 deri në 20 do të jenë përgjatë vijës bregdetare.

Të enjten dhe të premten do të kemi vranësira më të shpeshta, duke sjellë reshje të pakta kryesisht në ekstremin jugor dhe juglindje ndërsa e premte do të rrezikojë një pjesë të mirë të territorit. Megjithëse reshjet do të jenë prezente, do të jenë në sasi të pakta dhe jo problematike. Parametri i erës do të jetë problematik në pjesën e parë të javës, sidomos në orët e vona të mbrëmjes, ku herë pas here do të kemi fuqizim të saj duke shkuar në mbi 50 km/orë për shkak se jemi ende nën ndikimin e qarkullimit të maave ajrore nga jugu", u shpreh meteorologia.