Aktualitet15 Qershor 2024, 09:58

Shuhet zjarri masiv në tregun e rrobave në Shkodër, dëmet që la pas

Shkruar nga Pamfleti

Shuhet zjarri masiv në tregun e rrobave në Shkodër, dëmet

Shuhet gjatë natës zjarri i madh që përfshiu tregun e rrobave të përdorura në Shkodër pasditen e djeshme.

Zjarri ra rreth orës 18:55 në lagjen “Ndoc Mazi”, ndërsa flakët u përhapën gradualisht duke shkrumbuar jo vetëm 25 njësitë tregtare që ishin brenda tregut, por edhe pesë banesa afër zonës.

Një banore e zonës dhe dy zjarrëfikës kanë shfaqur probleme si pasojë e zjarrit dhe po marrin ndihmë mjekësore në spital, ku ndodhen në gjendje të stabilizuar.

Në terren për vënien në kontroll të flakëve ishin 21 mjete zjarrfikëse, të repartit të Shkodrës, nga Malësia e Madhe, Lezha, Ulqini dhe Tivari, 110 efektivë të forcave zjarrfikëse, 30 efektivë të Policisë Shkodër, 20 efektivë të repartit të FNSH, 3 autoambulanca me personel nga Spitali i Shkodrës, 110 punonjës të Bashkisë Shkodër, 30 efektivë të Repartit Ushtarak Vau Dejës dhe 1 helikopter i ushtrisë.

Dëmet materiale llogariten të jenë të shumta, ndërsa fatmirësisht nuk ka pasur viktima. Dyshohet se zjarri është ndezur qëllimisht, por ende nuk ka informacione të zyrtarizuara.