Aktualitet26 Shkurt 2024, 10:07

Transferimi i 200 kriminelëve më të rrezikshëm, ministri anglez: Trafikanti i parë që do të sillet në Shqipëri është dënuar me 17 vite burg

Shkruar nga Pamfleti
Transferimi i 200 kriminelëve më të rrezikshëm, ministri
Ministri i Drejtësisë britanike, Alex Chalk

Ministri anglez i Drejtësisë, Alex Chalk ka pranuar se është i zhgënjyer për koston e taksapaguesve britanik për strehimin e të burgosurve të huaj.

47,000 £ në vit do të paguajë Britania për çdo të burgosur për transferimin e tyre drejt vendeve të origjinës.

Në një intervistë për The Telegraph, Chalk theksoi se ai tashmë ka arritur një marrëveshje me Shqipërinë për të transferuar 200 nga kriminelët e saj më të rrezikshëm, të cilët po vuajnë katër vjet ose më shumë në burgjet britanike, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit të tyre në vendin e tyre.

Shqiptarët përbëjnë 13 për qind të të gjithë kriminelëve të huaj në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar, përqindja më e madhe, me 1,323 të burgosur aktualisht. Chalk zbuloi se i pari i deportuar sipas skemës ishte një kontrabandist i rrezikshëm droge i dënuar me 17 vjet burg.

I transferuari i parë është trafikanti shqiptar Neritan Kolludra, i dënuar nga një gjykatë e Londrës në vitin 2017, për trafik kokaine. Prej disa javësh, Kolludra po vuan vitet e mbetura në një burg të sigurisë së lartë në Jug-Lindje të Shqipërisë.

I dënuari drejtonte një organizatë kriminale në Londër, e përshirë në trafik kokaine me vlerë 150 milion stërlina, për llogari të një prej tre familjeve më të forta kriminale në Elbasan.

Transferimi i 200 kriminelëve më të rrezikshëm, ministri
Neritan Kolludra

Në vendimin e gjykatës së apelit të emigracionit në Londër, thuhet se sekretari i shtetit në 7 Qershor 2021 ka vendosur dëbimin e tij në Shqipëri me argumentin se ai përbën kërcënim për interesat e sigurisë në Britanisë së Madhe.

“Dëbimi juaj në këtë moment është marrë në konsideratë nga Drejtoria e Burgjeve dhe Shërbimit të Provës, pasi jeni identifikuar si një person i përshtatshëm, ndaj të cilit mund të zbatohet transferimi në Shqipëri për të vuajtur, pjesës së mbetur të dënimit”.

Neritan Kolludra e apeloi vendimin e transferimit në një burg shqiptarë, me argumentin se kjo do ta ndante atë nga bashkëshortja dhe fëmijët, vizitorë të përmuajshëm në burgun anglez ku ai mbahet. Por gjykatësi Mark Blundell nuk e pranoi apelimin e Neritan Kollundrës duke i hapur rrugë transferimit në një burg shqiptar.

Marrëveshja e transferimit të burgosurve Angli Shqipëri firmosur në Londër nga ministri Ulsi Manja dhe homologu britanik Alex Chalk, parashikon se të burgosurit shqiptarë në shtetin ishull, vullnetarisht mund të aplikojnë për transferim.

Një tjetër klauzolë në marrëveshje, i jep të drejtë Ministrisë së Drejtësisë angleze të transferojë drejt Shqipërisë edhe pa pëlqim të burgosur, të cilët kërkon ti largojë nga burgjet angleze në ato shqiptare.

Aktualisht në burgjet angleze vuajnë dënime të ndryshme mbi 1500 shqiptarë mes tyre 17 dënuar për vrasje me burgime të përjetshme. Deri më tani kanë aplikuar me dëshirën e tyre për t’u transferuar 80 të burgosur shqiptarë të cilët vuajnë dënime mbi katër vjet.

alex chalk tranferimi i 200 kriminelëve më të rrezikshëm neritan kolludra