Aktualitet26 Janar 2024, 14:42

Tre rastet e dhunës në familje, reagon Balla: Policia të zbulojë dhe reagojë për ngjarjet e rënda!

Shkruar nga Pamfleti

Tre rastet e dhunës në familje, reagon Balla: Policia të

Ministri i brendshëm, Taulant Balla ka reaguar pas identifikimit të tre rasteve të rënda të dhunës në familje.

Në një reagim në rrjetet sociale, Balla ka bërë thirrje Policisë së Shtetit të rrisë forcën zbuluese dhe reaguese për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave.

Ndër të tjera, Balla thekson se nuk ka asnjë justifikim ndaj dhunës, as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike dhe as online.

"Policia e Shtetit Tiranë dhe Shkodër kanë identifikuar tre raste të rënda dhune në familje, duke ndaluar menjëherë autorët. Do të vazhdoj t’i kërkoj Policisë së Shtetit të rrisim forcën zbuluese dhe reaguese për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave, e cila mbetet forma më e përhapur e shkeljes së të drejtave të njeriut në mbarë botën! #AsnjëJustifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund!", shkruan ministri i Brendshëm në rrjetet sociale.

Një histori e rëndë dhune fizike dhe terrori psikologjik është zbuluar sot në Tiranë, e cila prej vitesh fshihej brenda mureve të shtëpisë.

Ngjarja ka ndodhur në Selitë të vjetër. 35-vjeçari Jetnor Zhaboli kyçte në banesë, gruan, vajzën e mitur, si edhe nënën e tij, duke mos i lejuar që të dalin nga shtëpia sa herë që ai largohej.

Një tjetër rast dhune është zbuluar në një familje në Tiranë. Kryefamiljari Riza Sallahi, 66 vjeç, kishte dhunuar bashkëshorten e tij, si edhe e kishte mbyllur atë brenda në banesë bashkë me nipërit dhe mbesat.

Ngjarja e tretë kriminale është parandaluar në Vaun e Dejës ku është arrestuar 50 vjeçari Petrit Lufi i cili dhunoi dhe kërcënoi me jetë bashkëshorten dhe 4 fëmijët e tyre të mitur.