Aktualitet26 Shkurt 2024, 21:56

Vrasja e Pëllumb Metës/ Shefi i krimeve zbardh intervistimet: Ndërtuan fabulën, rolet i kishin ndarë

Shkruar nga Pamfleti

Vrasja e Pëllumb Metës/ Shefi i krimeve zbardh intervistimet:

Shefi i Krimeve të Rënda në Durrës, Elton Shahini, ka folur lidhur me vrasjen e 50-vjeçarit Pëllumb Meta dhe hetimet.
Ai ka treguar se familjarët janë intervistuar disa herë, fillimisht për zhdukjen e viktimës dhe më pas edhe për krimin e kryer.

“Pasi fëmijët bënë kallëzim për humbjen e babait kanë deklaruar se nuk ishte hera e parë që largohej, nga dy deri në 10 ditë, ata thonin se ishte konsumues dhe kishte probleme. Më pas është gjetur makina e Pëllumbit, rreth 2-3 kilometra larg nga banesa e viktimës. Pasi u gjet mjeti u kërkua në këtë sektor, pasi menduam që trupi mund të ishte pranë makinës. Më pas janë marrë sërish familjarët, teksa jepnin versionin e tyre. Ne kishim dyshime se personi nuk kishte konflikte dhe ngulëm këmbë se ishte diçka e brendshme. I vumë përpara faktit që është diçka e brendshme. Hyseni gjatë intervistimit na tregoi se çfarë kishte ndodhur duke e shpallur fajtore Hygertën”, ka treguar Shahini.

Më tej shefi i krimeve të rënda të Durrësit, tha se Hygerta kishte ndërtuar një fabul, për të treguar se si kishte kryer krimin por se ajo nuk ishte e besueshme.

Ai tregoi se si familjarët i kishin ndarë rolet për krimin që më parë.

“Fillimisht Hygerta kishte një fabul shumë të bukur që e kishin bërë ndërmjet tyre, na çoi tek kasollja, ku tregonte se i kishte bërë të gjitha vetë. Të gjitha këto na lanë të dyshonim se s’mund ta bënte ajo. Familjarët e kishin ndarë rolet më parë. Esenciale ishte se këqyrëm banesën dhe tek divani gjetëm një predhë të armës së zjarrit. Fillimisht është gjetur vetëm predha, më pas janë marrë mostrat e gjakut. Impresioni im është që jam habitur, dhe janë marrë dy herë intervistimet e tyre. Ata ishin të qetë, të gjithë. Menduam që këtu nuk kemi asgjë. Pas kësaj që u gjet motivi dhe viktima këta kanë pasur çiltërsi dhe qetësi, as pendim.

Nuk kisha parë asnjë rast të tillë. Nuk e mora të mirëqenë që ishte fejesa me shkuesi për vajzën. Nga deklarimet e tyre ata kanë pasur stres të vazhdueshëm gjatë kësaj kohe, dhunë fizike dhe psikologjike. Kemi të dhëna se ky person punonte tek tregu dhe ishte person i qetë, por në familje ushtronte dhunë. Nga familjarët është deklaruar, nuk është konfirmuar ende, pasi s’ka pasur asnjë denoncim. Kur kishim vajzën dhe mamanë në zyrë, i thamë që pse s’jeni ankuar në polici. Nuk përgjigjeshin, kishin trysni të vazhdueshme nga viktima. Çështja është në hetim, por deri diku tabloja është e zbardhur, motivet deri diku ato që kemi janë të qarta.

Kjo është një krim makabër që do të shqyrtohet gjatë, unë gjatë intervistimeve që bëmë me vajzën, e pyesja, ishte studente e gjuhëve të huaja, që kur të mbarosh shkollën çfarë do të bësh. Se doja ta nxirrja që se kishte bërë ajo. I thash si mund ta bëje këtë gjë kur ke këto ëndrra, dhe më tha që kur është dhuna prishen ëndrrat”, tha shefi i Krimeve të Rënda në Durrës, Elton Shahini, në një intervistë për Top Channel.

pellumb meta durres