Alibitë e një presidenti në hall burgu: Bllokon Gjykatën Kushtetuese përmes paralizimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi

Alibitë e një presidenti në hall burgu: Bllokon Gjykatën Kushtetuese përmes paralizimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi

Presidenti kërkon pazar me Ramën, përmes bllokimit të KED dhe mungesë së kuorumit të institucionit më të lartë gjyqësor. Kryeministri lë hapur “derën” për pazar, por nuk i intereson marrëveshja për “detin” me Greqinë para zgjedhjeve, ndaj përdor Metën si alibi për bllokimin e paktit me fqinjin jugor

Presidenti i Republikës Ilir Meta po përdor Gjykatën Kushtetuese, jashtë funksionit të saj për shkak të mungesës së kuorumit, për të rritur pazarin në përballjen me kryeministrin Edi Rama.



Pasi ka përzgjedhur me kujdes vendin dhe kohën për të dhënë goditjen ndaj kundërshtarit të tij, vizitën në SHBA dhe studion e Zërit të Amerikës, Meta ka deklaruar se pa Kushtetuese qeveria ta harrojë firmën e tij për marrëveshjen e “detit” me Greqinë.

Reagimi i kryeministrit Edi Rama ka qënë në të njejtën gjatësi vale me atë të Presidentit, teksa është shprehur se Parlamenti është sovran dhe do ta hedhë marrëveshjen me Greqinë për votim në Kuvend, pastaj do ta dërgojë për firmë tek kreu i shtetit.

Por Rama e ka lënë hapur “rrugën” e pazarit me Metën, duke nënvizuar se deri kur të vijë koha për nënshkrimin e paktit për “detin” me Greqinë, Gjykata Kushtetuese do të jetë në funksionim të plotë, ose ankimimet, nëse ka, do të qëndrojnë derisa të sigurohet kuorumi në Kushtetuese.

Por si qëndron e vërteta dhe kush e ka bllokuar zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, organi kompetent që jep aprovimin për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, duke bërë përzgjedhjen dhe renditjen e listës së kandidatëve.

Por dhe vetë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është jashtë funksionit, si hallkë e sistemit të drejtësisë.

Pas Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, as KED nuk e formon dot kuorumin për të marrë vendime për shkak të “Vettingut”, ku shumica e anëtarëve ka mbetur në “rrjetën” tij.

KED, sipas ligjit ka 9 anëtarë dhe 3 të tjerë zëvendësues, por deri më tani janë shkarkuar plot 7 anëtarë.

Anëtari i fundit i shkarkuar ishte dy ditë më parë, gjyqtari i Apelit të Korçës, Sotiraq Lubonja.

Ai ngeli në “Vetting” për shkak të probleme të konstatuara me pasurinë gjatë hetimit të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe aktualisht shkarkimi i tij i heq kuorumin KED-së.

Aktualisht  Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka vetëm 4 anëtarë, dy që kanë kaluar “Vettingun” të cilët janë Fatjona Memçaj dhe Vitore Tusha dhe dy që nuk kanë kaluar akoma në procesin e verifikimit, përkatësisht Endon Dhimitri dhe Fatos Qato.

KED nuk merr dot vendime me 4 anëtarë. Dhe për të zgjidhur ngërçin e krijuar, Kuvendi iu drejtua pak ditë më parë Presidentit të Republikës.

Përmes një shkrese zyrtare, Ruçi i kërkonte Metës që të hidhte në mënyrë urgjente shortin për KED ose këtë proces t’ia kalonte si kompetencë, Kuvendit.

Por kreu i shtetit deri tani nuk e ka ndërmarrë një veprim të tillë, duke argumentuar se KED e ka kuorumin për të marrë vendime, pavarësisht se me dy shkarkimet e fundit të Sotiraq Lubonjës dhe Ahmet Jangullit, pretendimi i Metës bie poshtë.

Por fakti është se, nëse KED është jashtë funksionit, atëherë s’funksionon as Kushtetuesja, e cila sot është me 1 anëtar dhe emrat përzgjidhen nga Presidenca, Gjykata e Lartë dhe Kuvendi.

Por që të tre këto institucione duhet më parë të marrin aprovimin e KED, i cili bën renditjen e kandidatëve.

Pra është pikërisht Ilir Meta njeriu që po bllokon reformën në Drejtësi, përmes bllokimit të KED dhe për pasojë mbajtjen jashtë funksionit të Gjykatës Kushtetuese.

Ndaj paralajmërimet e Metës për mungesën e Gjykatës Kushtetuese, e për pasojë dhe kërcënimi për të mos firmosur marrëveshjen e “detit” me Greqinë, janë një presion ndaj Ramës për pazar. Dhe askush nuk dyshon tek Rama, i cili i “rri” pazarit nëse i shkon për shtat qëllimeve të tij. E ka treguar jo vetëm me Metën por dhe me Bashën se bën pazar të kulluar fare.

Por duke qënë se Rama është vetë i interesuar për shtyrjen e nënshkrimit të marrëveshjes së “detit” me Greqinë deri pas zgjedhjeve vendore, i volit më shumë ky kundërshtim i Metës, për ta përdorur atë si alibi të bllokimit të procesit të marrëveshjes me Greqinë. Dhe kjo ka “ngjitur”, pasi Presidenti dhe ministri i Jashtëm grek akuzojnë kreun tonë të shtetit si bllokues.

Ndërkohë që vetë Meta është i interesuar të rezistojë deri në fund, ka hall burgu Presidenti./Pamfleti

 

error: Ndalohet ribotimi i artikullit! E drejta e autorit pamfleti.net.