Aktualitet21 Maj 2018, 10:20

Alpha Bank Albania, së bashku mbështesim “Ti je një luledielli”

Shkruar nga Pamfleti
Alpha Bank Albania, së bashku mbështesim “Ti je një

Alpha Bank Albania operon në Shqipëri prej 20 vitesh dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm përsa i përket përgjegjësisë sociale të korporatës, duke mbështetur në mënyrë aktive projekte të ndryshme që kanë një impakt të madh në shoqëri, kushtet dhe standardet e jetesës, shëndetësinë, edukimin, mjedisin, parqet publike, artin, kulturën, katastrofat natyrore etj.

Prej 10 vitesh banka organizon “Ditën e Vullnetarizmit” të Alpha Bank Albania, me pjesëmarrjen vullnetare të stafit. Përgjatë viteve të fundit në këtë ditë, stafi i Bankës ka ndërmarrë nisma si: rigjallërim të lulishteve publike, pastrim plazhi, mbjellje pemësh, vizitë në shtëpitë e fëmijëve apo të moshuarve, aktivitete që synojnë mbrojtjen dhe gjallërimin e trashëgimisë kulturore dhe artistike etj.

Këtë vit, Alpha Bank Albania mbështeti fondacionin “Ti je një luledielli” duke blerë një sasi të konsiderueshme bluzash, për të gjithë stafin e saj. Fondacioni “Ti je një luledielli” – nën idenë, konceptimin dhe kurimin e Albana Osmanit – vjen në ndihmë të fëmijëve të prekur nga sëmundjet e gjakut dhe të gjitha të ardhurat e grumbulluara shërbejnë për të plotësuar nevojat e identifikuara nga fondacioni në spitalet pediatrike në të gjithë Shqipërinë.

Për të rritur edhe më shumë ndërgjegjësimin për nismën “Ti je një luledielli”, të 419 punonjësit e Alpha Bank Albania, u angazhuan aktivisht në datën 18 maj, ku mbajtën të veshur simbolin e kësaj nisme, bluzën me lulediell, përgjatë të gjithë ditës së punës.

Gjithashtu, në datën 20 maj, pranë Liqenit Artificial të Tiranës, u organizua një aktivitet me fëmijët e stafit të bankës, të cilët performuan në kërcim, recitim, këngë dhe vegla të ndryshme muzikore, duke dhënë edhe ata kontributin e tyre me një mesazh dashurie dhe solidariteti për bashkëmoshatarët e tyre me sëmundje të ndryshme gjaku.

Drejtuesja e nismës “Ti je një luledielli”, znj. Osmani mori pjesë në këtë aktivitet dhe falenderoi Alpha Bank Albania dhe stafin e saj për këtë bashkëpunim kaq të rëndësishëm për fëmijët për të cilët ajo kujdeset nëpërmjet kësaj nisme. Ajo u shpreh se: “I jam mirënjohëse Alpha Bank Albania që është një ndër mbështetëset më të mëdha të nismës “Ti je një luledielli”, dhe njëkohësisht jam e prekur nga këta fëmijë të mrekulleshëm, që performuan për ne sot dhe na sollën kaq shumë gëzim dhe diell te të gjithë.”

Znj. Erjona Çela, Anëtare e Bordit Drejtues të Alpha Bank Albania për Biznesin Bankar me Pakicë u shpreh se: “Sot jam e lumtur dhe krenare për institucionin që përfaqësoj, për stafin tonë, si dhe për të gjithë fëmijët tanë, të cilët që prej një muaji, me seriozitetin më të madh kanë bërë prova që sot të sillnin për ne këtë shfaqje kaq të bukur, të mbushur gjithë dashuri. Përgëzoj Fondacionin “Ti je një luledielli”, stafin e tij të palodhur që punojnë vullnetarisht, si dhe znj. Albana Osmani, si nismëtare e kësaj pune me zemër, të cilët kanë ndërmarrë këtë nismë kaq shpresëdhënëse, dhe më lejoni të përdor këtë mundësi për të ftuar të gjithë bizneset private si dhe individët, që të mbështesin këtë nismë duke bërë të tyret produktet kaq të veçanta, të markuara me Lulediellin e shpresës”.

Forum