Bota16 Shtator 2019, 16:50

“Amazona nuk është thjesht pylli që digjet, po kthehet praktikisht në një varrezë”: Kostoja e tmerrshme e zjarreve në

Shkruar nga Pamfleti
“Amazona nuk është thjesht pylli që digjet, po kthehet

“Amazona nuk është thjesht pylli që digjet, po kthehet praktikisht në një varrezë”: Kostoja e tmerrshme e zjarreve në “mushkërinë e botës”

Qyteti më i madh i Brazilit, Sao Paolo u zhyt në errësirë në fund të gushtit; jo prej një fenomeni natyror, por prej resë gjigande të tymit që udhëtonte nga qindra kilometra larg, nga Amazona, ku flakët po gllabëronin pa mëshirë pjesë të tëra të pyllit më të madh tropikal të globit.

Mijëra vatra zjarresh shqyen florën e faunën e ekosistemit nga i cili varet e gjithë bota.

Gati 80 mijë zjarre u regjistruan këtë vit në Brazil, pothuajse 80% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Pjesa dërrmuese e tyre, pushtuan pikërisht Amazonën.

Kjo xhungël gjigande konsiderohet si një prej pasurive më të paçmuara të planetit tonë, falë sasisë së madhe të oksigjenit që çliron, duke dhënë kështu një ndihmesë të vyer në ekuilibrin klimatik të mjedisit jetësor.

Shpyllëzimi kishte nisur ta gërryente prej kohësh sipërfaqen e blertë të saj. Pemët e Amazonës shihen si burim i mirë lëndësh drusore, dhe pavarësisht rëndësisë që ka ky pellg për planetin, prerjes së tyre nuk iu vu fre.

Rezultati është tmerrues: gati 20 për qind e pyllit gjigand, që do të thotë një zonë më e madhe se e gjithë Evropa Perëndimore, u shkatërrua për këtë arsye.

“Ritmi është i frikshëm. Një zonë me madhësinë e rreth një milion fushave të futbollit, u rrafshua brenda një viti. Nuk mbeti pemë në këmbë. U copëtuan vetëm në një vit. Pylli po shkatërrohet dhe këtë po e bën krimi. Mbi 90 për qind e shpyllëzimit të Amazon ndodh plotësisht në rrugë të paligjshme”, shprehet Marcio Astrini, koordinator publik.

“Mushkëria e botës” po vuan e gërryer edhe nga një tjetër fenomen më pak i mediatizuar, por sërish i rrezikshëm: aktiviteti i paligjshëm minerar. Greenpeace zbuloi dy vite më parë 14 miniera të tilla në rezervën natyrore të Renca-s, në lindje të Amazonës, dhe tetë rripa toke që po bëheshin gati të përdoreshin për të njëjtin qëllim nga kompani të huaja, shkruan TCH.

Bota Amazona kostoja e zjarreve xhungla gjigande