Kosova29 Tetor 2022, 18:38

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

I zhgënjyer për vendimin e Qeverisë së Kosovës që të “shkallëzojë” zbatimin e vendimit për konvertimin e targave ilegale në ato RKS, është shprehur edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill.

Gjatë një debati në Konferencën e Sigurisë në Beograd, Hill ka thënë se është i zhgënjyer që për shkak të çështjeve të vogla teknike, sikurse rasti i targave, janë lënë anash tema të mëdha.

“Jam shumë i zhgënjyer të shoh që çështjet si energjia elektrike në veriun e Kosovës vazhdojnë të diskutohen me muaj të tërë pa asnjë rezultat për shkak të gjërave të vogla në ndërkohë ne kemi një situatë të brishtë dhe mund t’ju them se shekuj nga tash ne nuk do të jemi dhe njerëzit nuk do të jenë duke diskutuar për targat e makinave në Kosovë. Ushqimi, energjia… dhe jemi duke folur për armët nukleare së fundmi që është shumë më e rëndësishme se targat e makinave”, ka thënë ai.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor fillon masa e qortimit, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe nga 21 janari do të përdoren targat provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill nuk do të lejohen targa tjera në Kosovë.

Prishtine Christopher Hill dialogu Kosovë-Serbi Targat ilegale