Analistët nga Kosova vënë në pikëpyetje nismën për referendum të Thaçit

Analistët nga Kosova vënë në pikëpyetje nismën për referendum të Thaçit

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sugjeroi mbajtjen e një referendumi për propozimin e tij të fundit për një “korrigjim të kufijve” midis Serbisë dhe Kosovës, por analistët nga Prishtina vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e tij.

Shkruan Përparim Isufi



Hashim Thaçi ka sugjeruar një referendum mbi propozimet për ndryshimin e kufijve si pjesë e një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, por analistët theksuan se në Kosovë nuk ekziston asnjë ligj që do të lejonte një plebishit të tillë.

Të martën, Thaçi tha se kishte refuzuar ndarjen e Kosovës ose shkëmbimin e territoreve si pjesë e një marrëveshjeje me Serbinë, por propozoi që ta vendoste çdo marrëveshje me Beogradin në një votim popullor.

“Në një situatë të tillë, nuk ka asnjë mënyrë tjetër sesa fuqizimi i vendimmarrjes së qytetarëve të Kosovës duke i lejuar ata të vendosin se kush ka të drejtë dhe cili opsion është në interes të Kosovës. Kështu që është e nevojshme të bëjmë të mundur të drejtën për një referendum të mundshëm për qytetarët dhe unë po punoj që ta bëj këtë realitet,” shkroi Thaçi në Facebook.

Kuadri ligjor aktual nuk lejon që Kosova të mbajë një referendum sepse parlamenti nuk ka miratuar ende një ligj për të.

“Për 10 vjet, liderët politikë nuk kanë dashur të kenë një Ligj për Referendume nëpërmjet të cilit qytetarët mund të iniciojnë çështje për votim. Është e domosdoshme që Kosova të ketë një ligj të tillë dhe miratimi i tij në parlament duhet të jetë një përparësi,” tha për BIRN Mazllum Baraliu, profesor në Universitetin e Juridikut.

“Kjo nuk mund të bëhet brenda disa ditësh,” shtoi Baraliu.

Aktualisht, deputetët e Kosovës janë me pushime verore dhe, deri më tani, nuk ka pasur asnjë veprim për të hartuar ndonjë ligj të tillë.

Baraliu tha se shikonte pengesa të tjera që pengonin idenë e Thaçit.

“Çështjet që janë në kundërshtim me kushtetutën nuk mund të dalin në referendum,” tha ai.

Propozimi i Statusit të Kosovës i hartuar nga diplomati Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit Kosova shpalli pavarësinë në shkurt 2008, thotë se “Kosova nuk do të ketë pretendime territoriale kundër dhe nuk do të kërkojë asnjë bashkim me asnjë shtet apo pjesë të ndonjë shteti”.

Ai gjithashtu ndalon referendumet mbi propozimet në kundërshtim me çdo dispozitë të dokumentit, i cili shërbeu si bazë për hartimin e Kushtetutës së Kosovës.

Por shkencëtari politik nga Kosova Krenar Gashi tha për BIRN se gjëja më e rëndësishme ishte të sigurohej një marrëveshje me Serbinë.

“Çështja nuk është nëse Kosova mund të organizojë një referendum, por më shumë nëse do të jemi në gjendje të arrijmë një marrëveshje me Serbinë dhe të kemi si SHBA-në ashtu edhe Rusinë ta garantojnë atë në krye të BE-së. Nëse arrihet një marrëveshje e tillë, kjo do të përshpejtojë konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe organizimi i një referendumi për të mbështetur atë do të ishte shumë e lehtë,” tha Gashi.

“Duhen marrë në konsideratë dy çështje. Së pari, ne jetojmë në kohët më të paparashikueshme kur bëhet fjalë për politikat ndërkombëtare. Së dyti, kemi një kufi të gjatë me Serbinë, të cilin duhet ta shënojmë dhe për të cilin duhet të biem dakord. Kjo do të thotë që, herët ose vonë, do të duhet të bisedojmë me Serbinë rreth territorit. Megjithatë, nuk do të jetë për shkëmbime të mëdha,” shtoi ai.

more recommended stories

error: Ndalohet ribotimi i artikullit! E drejta e autorit pamfleti.net.