Aktualitet 5 Prill 2018, 08:27

Analiza: Kur emigrantët trajtohen si skllevër

Shkruar nga Pamfleti
Analiza: Kur emigrantët trajtohen si skllevër

Analiza: Kur emigrantët trajtohen si skllevër

Kemi dëgjuar histori se si agjentët kundër emigrimit shfaqen papritur nëpër apartamente, dyqane lagjesh apo shkolla fëmijësh për të kapur emigrantë të paligjshëm e për t’i dëbuar.

Shkruan Jacqueline Stevens, New York Times

Por kemi dëgjuar më pak për punën e detyruar (disa e quajnë skllavëri) brenda burgjeve amerikane ku ata presin përfundimin e procesit.

Masa e reja ligjore që po merren kundër këtyre praktikave mund të pengojnë kështu edhe planin qeveritar për deportime, nëpërmjet pakësimit të fitimeve financiare që ka biznesi i burgjeve.

Po, burgjet janë biznes. Në vitin 2010, burgjet private dhe investuesit e tyre lobuan që Kongresi amerikan të kalojë një ligj, sipas të cilit zyra e Emigracionit dhe Doganave do të kishte një kontratë me qeverinë për mbulimin e shpenzimeve të jo më pak se 34,000 të burgosurve për çdo natë.

Kjo do të thotë që nëse në burgje ka më pak njerëz, ata që mund të ishin lënë për t’u gjykuar të lirë, për shkak se nuk kanosin rrezik ndaj shoqërisë, mund të vazhdojnë të mbahen në burg dhe qeveria amerikane të paguajë 125 dollarë për çdo natë qëndrimi.

Dhe të ndaluarit bëjnë pothuajse të gjitha punët që i mbajnë këto institucione në këmbë, përveç detyrës së rojave.

Ata gatuajnë, shpërndajnë ushqimin, pastrojnë burgjet, dyshemetë, banjat, lajnë rrobat, shërbejnë si berberë, bojaxhinj, dhe punojnë deri me mirëmbajtjen e makinerive. Për shumicën e këtyre punëve paguhen me 1 dollar në ditë. Për disa punë të tjera që u kërkohen nuk paguhen fare.

Ka pasur lëndime e madje edhe vdekje gjatë këtyre punëve në burg. Cezare Gonzales, për shembull, vdiq në vitin 2007, në burgun e Los Angeles County, kur çekiçi pneumatik me të cilin po punonte ra në kontakt me rrymën elektrike. Ai ishte duke hapur gropa për të ngulur shtyllat që do të shërbenin për zgjerimin e burgut.

“Agjencia e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë” vendosi se pavarësisht statusit si i ndaluar, z.Gonzales ishte edhe i punësuar, ndaj punëdhënësi i tij kishte shkelur rregullat e sigurisë në punë.

Dy prej kompanive më të mëdha në vend për mirëmbajtjen e burgjeve (GEO dhe Corecivic, e njohur si CCA), janë duke u përballur me pesë padi të ndryshme që janë ngritur kundër tyre. Në padi thuhet se puna e detyruar me turne tetë-orarëshe, përkundrejt një pagese tepër të vogël ose edhe pa pagesë fare, është kundër ligjit. Kompanitë akuzohen se kanë shkelur Ligjin e Pagës Minimale, Ligjin e Mbrojtjes së Viktimave të Trafikut dhe Ligjin Kundër Pasurimit të Padrejtë.

Paditë kanë argumente të forta. Puna e detyruar lejohet nga Kushtetuta për sa kohë që është si formë ndëshkimi, siç thuhet në Amendamentin e 13-të që ndalon skllavërinë. Por në vitin 1896, Gjykata e Lartë deklaroi se “urdhri për ndalim deri në dëbim nga vendi nuk konsiderohet krim”.

Për këtë arsye, ndonëse burgjeve u kërkohet të përdorin punën e detyruar për të “ndëshkuar” ose “korrigjuar” kriminelët, gjykatësit kanë vendosur në tri çështje të ndryshme që burgjet ku ndalohen emigrantët e paligjshëm nuk mund ta ushtrojnë punën e detyruar.

Detyrimi i emigrantëve për të punuar në ndërtesat e kompanisë GEO është e ligjshme po aq sa ç’do të ishte e ligjshme sikur qendrat shtetërore të azileve t’i detyronin pleqtë të lanin dyshemetë e fqinjëve.

Kompania GEO u mbrojt duke treguar se sa shumë varen fitimet e tyre nga puna e detyruar e njerëzve që mbahen të ndaluar.

Në vitin 2017, Gjykatësi i Distriktit Federal, John Cane, pranoi për gjykim një padi të ngritur në emër të të gjithë të ndaluarve, si kategori, në Aurora të Kolorados. Kompania GEO e kundërshtoi vlefshmërinë e kësaj padie në apel, duke pretenduar se ishte “një rrezik katastrofik ndaj mundësisë së GEO për të respektuar kontratën me qeverinë federale”.

Sipas proces-verbalit në gjykatë, GEO paguan 1.25% deri në 6% të shumës së caktuar me ligj si pagë minimale, dhe 0.5% të asaj që duhet të paguajnë kompanitë që marrin kontrata federale, sipas Ligjit të Kontratave të Shërbimit. Nëse paditësit fitojnë, GEO do të detyrohet t’u japë 62,000 personave pagën e munguar, e cila do të arrinte në dhjetëra miliona dollarë. Pa numëruar pagesat e tjera për ata që vazhdojnë të mbahen të ndaluar. Dhe kjo vlen për vetëm një prej ndërtesave të tyre.

Apeli i GEO-s dështoi. Gjatë paraqitjes së argumenteve në gjyq, avokati që mbronte kompaninë pretendoi se ata që mbaheshin të ndaluar në Aurora vendosnin me dëshirën e tyre nëse do të punonin apo jo. Gjykatësi ia ktheu: “Po të mos pranojnë, rrezikojnë të mos marrin ushqim e të mbahen në izolim, apo jo? Është si të thuash që skllevërit kishin zgjedhur të ishin të tillë, apo jo?” Trupa gjykuese e Qarkut të 10të të Apelit vendosi në mënyrë të njëzëshme që padia të vazhdonte për gjykim.

Pas kësaj, GEO u padit për shkelje të ligjeve të punës edhe në Takoma, Uashington. Në tetor, gjykatësi Robert Brajan në Uashington, i emëruar nga presidenti Regan, e refuzoi kërkesën e GEO-s për ta rrëzuar çështjen, dhe, për herë të parë, lejoi që të pranohej jo vetëm padia për shkelje të Ligjit mbi Pagën Minimale, por edhe ajo për Punë të Detyruar dhe Pasurim të Padrejtë.

Më 7 Mars të vitit 2018, anëtarët republikanë të Kongresit Amerikan, 12 prej të cilëve vinin nga qarqe ku operojnë burgje private, i dërguan një letër Departamenteve të Punës, të Drejtësisë dhe të Sigurisë Kombëtare,  ku rreshtonin ankesat kundër këtyre padive. Ata paralajmëronin se nëse agjencitë qeveritare nuk ndërhynin për të mbrojtur kompanitë, do të çoheshin dëm të gjitha përpjekjet për të kontrolluar emigrimin e paligjshëm.

Por ka ende shpresa për ata që i mbështesin këto padi. Kërkesa e kongresmenëve (që qeveria të deklarojë se ata që punojnë në burgje nuk janë punëmarrës, ndaj nuk mund të përfitojnë nga ligji i pagës minimale) nuk ka për ta ndaluar padinë. Deklaratat e agjencive qeveritare nuk kanë pushtet për të përmbysur statute. Nëse gjykatësit ndjekin ligjet, kostoja e dëbimit të emigrantëve të paligjshëm do të futet në buxhet.

Nëse vuajtja njerëzore nuk mjafton për të ndaluar mizorinë e burgosjes së njerëzve vetëm për shkak të vendit ku kanë lindur, mbase do të ndikojë barra që do t’i shtohet xhepit të taksapaguesve.(tch)

Forum Analiza: Kur emigrantët trajtohen si skllevër