Politike25 Mars 2018, 06:12

Anëtarja e Kryesisë së PD, Valbona Mezini: Nëse duhet të kërkojmë llogari ndaj qeverisë, duhet ta fillojmë nga opozita.

Shkruar nga Pamfleti
Anëtarja e Kryesisë së PD, Valbona Mezini: Nëse duhet

Anëtarja e Kryesisë së PD, Valbona Mezini: Nëse duhet të kërkojmë llogari ndaj qeverisë, duhet ta fillojmë nga opozita. Jemi në krizë besimi, Basha të largohet

Anëtarja e Kryesisë së PD, Valbona Mezini ka komentuar dje situatën në të cilën ndodhet Partia Demokratike. E ftuar në një studio televizive, Mezini deklaroi se situata e vështirë në PD vijon të jetë prezente për faktin se sipas saj lidershipi aktual nuk inspiron besim të mjaftueshëm për qeverisjen e vendit. “Ne jemi në një vend ku çdo njeri ka të drejtë të ketë një mendim ndryshe nga tjetri e të shprehë idetë e veta. Por në fakt na imponohet e kundërta. Dhe kjo pasi Shqipëria është një vend i marrë peng nga qeverisja e majtë. Nëse sot do të kërkojmë llogari ndaj qeverisë, duhet ta fillojmë nga opozita. Shqetësimi im është ky: Duhet të kemi rregulla të qarta dhe të barabarta loje brenda PD-së. Mendoj se mbledhja e 28 prillit është vendosur shumë herët.

Le të mblidhet sërish Kryesia edhe Këshilli Kombëtar. Për të diskutuar situatat në të cilat ndodhet vendi. Sepse përpara kemi një qeveri të angazhuar krejtësisht në krimin e vet. Pra meraku im si anëtare kryesie është a do të mundemi ne që të ndërtojmë struktura që të mos i përdorim për gjueti shtrigash. Për aq kohë sa kemi qëllime të përbashkëta, dhe kemi rregulla të përbashkëta loje ne i shërbejmë shqiptarëve. Qëllimi nuk është t’i bëjmë fresk emrit që drejton PD-në”, tha ajo. Më tej, anëtarja e Kryesisë së PD, Valbona Mezini tha se Basha e ka anashkaluar statutin pasi ka marrë vendime pa u konsultuar me demokratët.

Mezini gjithashtu u ndal edhe tek mbledhja e Kuvendit Kombëtar. Ajo deklaroi se mbledhja e Kuvendit më së shumti duket si një çështje politike sesa ndryshim statuti. Por veç kësaj Mezini nënvizoi se PD ka nevojë për një lidership të besueshëm. “Basha disa statute i ka anashkaluar pasi ka marrë vendime pa konsultime. Kam një pozicion që nuk interferon dot në punën e lidershipit. Unë do ta përbashkoja qëllimin tim me atë të Sali Berishës. Që është forcimi dhe bashkimi i PD-së, për të ardhur në pushtet dhe për t’i shërbyer popullit.

Popullit i duhet një alternativë më e mirë qeverisëse. Madje mendoj se edhe rikthimi dhe prezenca e Berishës në PD, nuk do të ishte e mjaftueshme. Prania e Berishës do të luante një rol fondamental në lidhje me ecurinë e PD-së, por është shumë pak e mjaftueshme. Sot ka një krizë besimi nga brenda. Kjo na çon drejt nevojës për të riparë statutin. Mbledhja e Kuvendit Kombëtar nuk dihet ende nëse do të jetë për një ndryshim statuti apo për një çështje politike. Pasi në këtë mënyrë ne i shërbejmë gjuetisë së shtrigave dhe anashkalojmë rolin tonë. Qëllimi i të majtës ka qenë që të vijë në pushtet jo t’i shërbejë integrimit të vendit. PD-ja ka nevojë për një lidership të besueshëm dhe më të mirë se ky që është”, tha ajo.

Politike anëtarja e kryesisë së PD Valbona Mezini