Tashmë është e qartë që për Kosovën ka pasur një përplasje të ashpër ndërmjet fuqive të mëdha, një përplasje që mund të quhet shumë mirë një betejë, më shumë se diplomatike.
Prej frenezisë së vitit 2019, kur administrata Trump, tentoi të largojë nga duart e Gjermanisë dhe Europës dialogun e nisur nga Angela Merkel, si pjesë e procesit të Berlinit të 2014-s, në përgjigjen e ashpër, preçize e realisht të suksesshme të kancelares gjermane, e cila mund të quhet me plot gojë fituesja e “Betejës për Kosovën”.
Një betejë epike që pati dy “sulltanë” apo “mbretër” protagonistë”, Donald Trump dhe Angela Merkel.
Po si u zhvillua kjo luftë?
Ja vlen ta shpejgojmë këtë pasazh kaq të rëndësishëm por gati fatal i historisë së shqiptarëve.
Donald Trump, për t’i dhënë një shkëndijë të suksesshme politikës së tij të jashtme vendosi që të zgjidhë një problem të rëndësishëm ndërkombëtar siç një biznesmen zakonisht vepron: shpejt e shpejt e me një “deal” që në bazë ka fitimin e dyanshëm dhe jo pasojat që ai le pas. Dhe siç e ka deklaruar vetë këshilltari i Trump për Sigurinë Kombëtare në atë kohë John Bolton, u mbrujt koncepti i shkëmbimit të territoreve që të mbyllet përfundimisht njohja e Kosovës nga Serbia.
Flitej për Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicën e Veriut, e për të marrë diçka nga Lugina e Preshevës. Themi diçka, pasi thuajse në çdo vendbanim atje ka edhe serbë, jo më kot, por pikërisht me strategji për të ndaluar një kalim en-block të Luginës së Preshevës në një Shqipëri të Bashkuar apo t’i bashkëngjitej Kosovës.
Pra, mund të kishte disa fshatra së bashku edhe me Preshevën, por jo të gjithë. Kështu mbruhej plani, i cili është hedhur në eter në vija të trasha nga Baton Haxhiu për të përgatitur opinionin publik se nuk ka se si të arrihet një pakt tjetër që e bën Serbinë të njohë Kosovën.
E si shtesë, Haxhiu përmendi si pika të tjera edhe mbylljen e gjykatës Speciale si dhe amnistimin e krimeve të serbëve në Kosovë.
Dhe krerët e Kosovës: Presidenti Hashim Thaçi e kryeministri Ramush Haradinaj u vunë në zbatim të këtij plani makabër, duke u bërë edhe aktorë por edhe lojtarë të një loje, ku ata ishin thjesht marioneta.
Haradinaj vuri taksën 100%, çka stopoi përnjëherësh dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në Bruksel. Kjo situatë alarmoi Angela Merkelin, e cila së bashku me presidentin francez Emanuel Macron, i kërkuan Haradinajt të hiqte taksën për 4 muaj, duke i bërë atij një superofertë; të merrte liberalizimin e vizave menjëherë. Ramushi nuk e pranoi se ishte pjesë e planit të Trump, por e pa që ky plan po haste rezistencë të fuqishme dhe mendoi ta shfrytëzojë politikisht si një lojtar tipik provincial. Të largohet e të fusë vendin në zgjedhje me shpresë se mund të marrë mazhorancën për herë të parë në Kosovë. Këshilla i erdhi nga Tirana; përkatësisht nga dy xhagajdurë të vjetër politikë: Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Ndërkohë që Ramushi refuzonte Merkelin si një kokëmushkë e i thoshte Edi Ramës në shqip në sy të Makronit: “ma ha k…”(frazë që një shërbëtor i dikurshëm mediatik e hodhi me porosi me shpresën se i rrit pikët), Hashim Thaçi bëri gjestin më të rëndë për një drejtues të Kosovës, por edhe idiotizmin më të madh të jetës që i shënoi largimin përfundimtar nga politika.
Doli para gazetarëve e tha që “BE ka dështuar dhe nuk mund të zgjidhë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë mund ta zgjidhë vetëm SHBA”. Kaq tha Thaçi dhe vrapoi në ambasadën amerikane në Berlin që atëherë e drejtonte Richard Grenell, i vetmi ambassador politik i Trump dhe i emëruar si Emisar për dialogun Serbi-Kosovë.
Që nga ai moment nisi beteja mes Trump dhe Merkel. E cila si një gjermane e vërtetë goditjet i bëri të sakta, preçize dhe në kohë. Së pari largoi Grenellin si ambassador në Gjermani, duke parashkruar mospranimin zyrtar të Berlinit.
Ndërkohë në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Fiton pastër opozita e Vetëvendosje dhe LDK që kishin si ikona politike: Albin Kurtin e Vjosa Osmanin.
Albin Kurti hyn në lojë si lojtar i freskët i Kosovës; e thërrasin në Berlin e Paris, ndërkohë që Grenell e takon në Prishtinë.
Kurti, ishte i qartë; i tha “JO” planit të Grenellit për të bërë marrëveshje me Beogradin shpejt e shpejt, dhe nuk pranoi të hyjë në detaje-foli në parim.
Grenell firmosi “dënimin” e Albin Kurtit, duke përdorë si pykë Isa Mustafën, i cili shmangu Vjosa Osmanin. Historia dihet; vonoi qeverinë për 3 muaj, duke i dhënë shenjë Albinit se ai ishte shefi dhe mund ta rrëzonte kur të duash. Grenelli erdhi sërish dhe i përmendi Kurtit brishtësinë e koalicionit të tij. Albini nuk u spraps dhe i tha “JO” dialogut. Në atë çast Merkel i telefonon, çka ishte kontakti i parë kaq i lartë i Albin Kurtit si politikan. Kancelarja mëson botëkuptimin e kryeministrit të Kosovës për dialogun dhe i jep mbështetje të fuqishme. Në këtë çast, Grenell urdhëron Mustafën të rrëzojë qeverinë dhe mobilizon Thaçin e Ramushin. Të cilët e bëjnë menjëherë. Kurti bie, vjen qeveria e Avdullah Hotit. Hashim Thaçi “kalon në orgazëm”, del në media të Prishtinës, Tiranës, apo Shkupit, ditë për ditë dhe vetëm sulmon Albin Kurtin, kujtonte se tani ai është triumfatori, Çezari që fitoi luftën dhe po shkonte drejt Uashingtonit si firmosës fuqiplotë.
Por gjërat nuk ishin tamam ashtu. Merkel, e zhgënjyer tmerrësisht me Thaçin vendos lëvizjen e radhës që do të jetë e egër, shkatërruese. Moska mëson nga shërbimi sekret se Samiti i Uashingtonit do të jetë një bllof pasi është në dijeni të hapjes së hetimeve ndaj Hashim Thaçit. Thërret Vuçiç në Moskë me urgjencë tre ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë. Vuçiç e mëson të vërtetën dhe thotë se do ndodhë një “gjë e madhe”.
Që natyrisht ndodh; shpallet hetimi ndaj Thaçit dhe ky i fundit mbyll pa lavdi karrierën e tij. Ngjarjet tashmë dihen; u bë takimi i shtyrë i Uashingtonit, i cili ishte një parodi sa për të kaluar radhën që megjithatë, i dha Serbisë Ujmanin si pa teklif.
Donald Trump dështoi ta zgjidhë çështjen e Kosovës. Angela Merkel fitoi, pasi nuk u zbatua një shkëmbim territoresh që mund të zgjonte trazira pa fund në Ballkan.
Putin, si mjeshtër i vjetër e “qepi” pasi e kuptoi se plani i Trump nuk do të funksiononte. Ai takoi edhe Hashim Thaçin për të parë si e ka “syrin” e fuqinë por në fund e kuptoi se Europa 400 milionëshe dhe një fuqi primare ekonomike e ka një “Zot” të ri që quhet Angela Merkel.
Donald Trump humbi zgjedhjet, e kështu në Kosovë do të zbatohet plani i Merkel që ka nisur që në vitin 2014’ një plan që në radhë të parë përfshin edhe rigjenerimin e elitave të reja të politikës. Dhe pikërisht në zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, pritet që Berlini të ketë një rol shumë të rëndësishëm.
Siç mësohet, Gjermania po udhëheq një process për një President jo të elitës së vjetër; një emër shumë intelektual, me rrënjë nga LDK-ja e Rugovës dhe Vjosa Osmanit dhe jo Isa Mustafës, por që të jetë figurë përbashkuese si me Vetëvendosjen ashtu edhe me PDK-në. Po flitet për Jusuf Buxhovin, shkrimtarin dhe diplomatin e Kosovës, por në lojë po dalin edhe emra të rinj. Lojë që mund të sjellë një tjetër kah të politikës në Prishtinë, natyrisht duke fshirë elitën e vjetër…/Pamfleti
Ky artikull është prodhim i “Pamfleti”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Pamfleti” dhe në fund të vendoset me linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.