Aktualitet15 Gusht 2019, 19:53

Anti-informaliteti “alla Braçe”/ Resorti luksoz, me xhiro multi-milionëshe, u bllokua për 3 euro

Shkruar nga Pamfleti

Vendimi i Gjykatës së Vlorës që lejoi vijimin e aktivitetit të kompleksit “Havana”, tregoi se fushata qeveritare kundër informalitetit është një spektakël mediatik, pa asnjë kontribut real në forcimin e financave publike.

Resorti lukzos i ndërtuar në bregun e Dhërmiut, është i njohur për çmimet e larta gjatë sezonit veror. Frekuentuesit, por sidomos klientët “rastësorë” të këtij kompleksi kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për faturat e kripura që aplikohen brenda tij.
Ndaj, aksioni tatimor mbi aktivitetin e kompleksit dhe bllokimi i tij u duk se ishte një përgjigje qeveritare për shqetësimin e qytetarëve lidhur me çmimet e larta.

Por, e vërteta qëndron shumë më ndryshe.

Resorti është bllokuar nga inspektorët tatimorë, pasi kanë konstatuar mos-shoqërimin me faturë të disa produkteve, me vlerë totale 2700 lekë të reja.

Nga mungesa e faturës, shmangia tatimore, sipas vetë organeve fiskale, është shuma qesharake prej 450 lekë të reja, ose 3 euro.
Pra, fushata e drejtuar nga zv.kryeministri Erion Braçe, bllokoi kompleksin turistik për 3 euro, ndërkohë që shfaqja publike qeveritare pas këtij aksioni krijonte përshtypjen se ishte zbuluar një shmangie milionëshe te resorti turistik.

Braçe reagoi fuqishëm pasi kryetari i gjykatës së Vlorës, njëkohësisht edhe gjyqtar i çështjes, Skënder Haluca, vendosi heqjen e shiritave bllokues të vendosur ndaj kompleksit. Madje, ai kërcënoi edhe gjyqtarin e çështjes se do të përgatiste një dosje kundër tij, për t’ua dërguar institucioneve të rivlerësimit (Vetingut).

Por, as zëvendësi i Edi Ramës dhe as zyrtarët e lartë të Ministrisë së Financave dhe Administratës Tatimore, të cilët kanë pushtuar hapësirën mediatike këto ditë të nxehta Gushti, nuk e përmendën në asnjë moment se sa ishte vlera e detyrimeve tatimore, e pretenduar si e shmangur nga punonjësit e resortit.

Kryetari i Gjykatës së Vlorës, Haluca, duket se është shortuar edhe si gjyqtar i gatshëm për shqyrtimin e çështjeve të ngutshme civile përgjatë muajit Gusht 2019, ndërkohë që pjesa më e madhe e kolegëve të tij janë me pushimet vjetore.

Kjo dallohet qartë nga fakti që, gjatë ditëve të fundit, ai ka shqyrtuar edhe disa raste të tjera, në të cilat paditësit, biznese të zonës, kanë paditur drejtorinë Rajonale Tatimore Jug për bllokim aktiviteti. Sipas të dhënave nga gjykata e Vlorës, edhe në dy raste të tjera, gjyqtari Haluca ka pranuar paditë e bizneseve, duke vendosur zhbllokimin e tyre.

Në vendimin e datës 13 Gusht 2019, gjyqtari Haluca jep detaje mbi atë që ka ndodhur gjatë kontrollit tatimor të zhvilluar në resortin turistik “Havana”, megjithëse në vendim nuk rezulton e sqaruar ligjorisht se përse shqyrtimi i kësaj çështjeje ishte kompetencë e gjykatës civile dhe jo e gjykatës administrative, e cila nga ana e saj shqyrton një seri padish mbi vendimet e administratës tatimore.

Gjoba dhe ankimi

Në datën 08.08.2019, prej inspektorëve të Drejtorisë së Hetimit Tatimor Rajoni Jugor është ushtruar kontroll në ambientet ku paditësi ushtron veprimtarinë e tij.

Pas kontrollit të ushtruar, prej palës së paditur është vlerësuar se paditësi nuk ka lëshuar kupon tatimor për një shërbim të ofruar prej tij, i cili konsiston në shitjen e disa artikujve, të përshkruar në aktin e konstatimit, me vlerë totale 2700 lekë.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Bazuar në vlerësimin e mësipërm, duke e klasifikuar si shkelje të nenit 122 të ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, është vendosur ndaj subjektit gjobë në masën 50 000 lekë.

Pasi prej palës së paditur është vlerësuar se shkelja ligjore është e përsëritur, ndaj paditësit është vendosur edhe masa e bllokimit të aktivitetit për 30 ditë.

Në kërkesë padinë drejtuar gjykatës, paditësi (pra, përfaqësuesi i biznesit privat), ka parashtruar se nuk ka kryer shkeljen e pretenduar dhe se penalizimi me gjobë dhe sidomos bllokimi i aktivitetit i shkaktojnë dëm në interesat e tij të ligjshme.

Sipas paditësit, ai nuk e ka kyer shkeljen, që ka çuar në bllokimin e aktivitetit të tij dhe si rrjedhim në dëmtimin e interesave të tij pasurore.

Paditësi pretendon se artikujt, që pala e paditur ka konstatuar se janë tregtuar pa u shoqëruar me lëshimin e kuponit tatimor, janë pjesë e një porosie, që nuk kishte përfunduar ende në kohën e kryerjes së konstatimit, se në atë moment paditësi nuk ka patur detyrimin për lëshimin e kuponit tatimor dhe se kuponi është lëshuar me përfundimin e shërbimit, siç kryhet në çdo rast të shërbimit të restorantit.
Gjithashtu paditësi pretendon se ai ka qene i rregullt në ushtrimin e veprimtarisë së tij dhe se në rastin konkret nuk është konstatuar ndonjë shkelje tjetër, fakt që sipas paditësit provon kujdesin e tij për ushtrimin e aktivitetit në konformitet me ligjin.

Sipas paditësit, vetë masa e detyrimit nga tatimi mbi vlerën e shtuar, që pretendohet të jetë shmangur, prej rreth 450 lekë, dëshmon se paditësi nuk ka synuar të kryejë shkelje të ligjit dhe as ka patur shmangie nga permbushja e detyrimeve që burojnë prej ushtrimit të aktivitetit ekonomik.

Pas këtyre parashtrimeve, paditësi kërkoi nga gjykata “Marrjen e masës së sigurimit të padisë, ndalimin e palës së paditur të kryejë çdo lloj veprimi për zbatimin e masës së bllokimit të aktivitetit ekonomik të palës paditëse dhe pezullimin e zbatimit të kësaj mase, si dhe heqja e shiritit dhe shenjave dalluese të bllokimit, deri në përfundimin e gjykimit të çështjes në themel”.

Argumentat e gjykatës

Gjykata e Vlorës konstatoi se provohet rreziku i një dëmtimi të pariparueshëm të interesave pasurore të paditesit nga vazhdimi i ekzekutimit të penalitetit të bllokimit të aktivitetit ndaj tij.

Duke qenë një aktivitet i vendosur në fshatin Dhërmi të Bashkisë Himarë, paditësi argumenton se natyra e aktivitetit të sheëbimeve të barit, restorantit e plazhit të organizuar, që përbëjnë objektin e aktivitetit të tij ka karakter të qartë sezonal, pra eksluzivisht fluksi i këtij aktiviteti dhe të ardhurat totale të tij realizohen gjatë sezonit turistik veror dhe në mënyrë të veçantë në muajin gusht.

Për këtë arsye, bllokimi i aktivitetit në periudhën 08.08.2019-07.09.2019, pra për periudhën 30 ditore sipas akt konstatimit, datë 08.08.2019, do të kishte pasojë dëmtim të pashmangshëm dhe të pariparueshëm të interesave ekonomike të paditësit dhe privim të tij nga përfitime ekonomike, që përfaqesojnë edhe të ardhurat gjithëvjetore të tij.

Me përfundimin e sezonit turistik veror, për shkak të natyrës së aktivitetit të tij, për paditësin do të rezultojë e pamundur të rikuperojë dëmin e ardhur nga bllokimi i aktivitetit, i cili është e vështirë të përllogaritet me saktësi në kushtet e pamundësisë së përllogaritjes së vlerës së sherbimeve ende te pakryera dhe që kërkohen aty për aty.

Gjyqtari Skënder Haluca, duke marrë në konsideratë që, në përfundim të shqyrtimit në themel të konfliktit civil ndërmjet resortit dhe Tatimeve, eventualisht, ekziston mundësia e animit të së drejtës nga ana e biznesit, vlerëson se dëmi që mund të pësojë aktiviteti privat nga vendimmarrja e institucionit fiskal, do të jetë i pariparueshëm.

“Në situatën e mësiperme, vazhdimi i bllokimit të aktivitetit të paditësit, përtej pasojave ekonomike, që mund të rezultojnë të pariparueshme, rrezikon akoma edhe ekzistencën e aktivitetit në të ardhmen, si pasojë e ngarkimit të paditësit me detyrime, ndërkohe që nuk i lejohet të krijojë të ardhura”, thotë gjykata, në vendimin e saj.

Po ashtu, gjykata jep shpjegime edhe përse vendosi që çështjen ta shqyrtojë në “dhomë këshillimi”, pa praninë e palëve.

“Gjykata vlerëson se, për shkak të paraqitjes së kërkesës gjatë periudhës së pushimeve vjetore dhe nevojës së ngutshme për marrjen e menjëhershme të masës së sigurimit të padisë, për shkak të mundësisë së thellimit të dëmit ekonomik të palës paditese, duke patur parasysh edhe vonesat në njoftimin e palëve, nuk janë kushtet për realizimin e gjykimit të kerkesës në prani të palëve dhe procedon me shqyrtimin e kërkesës në dhomë keshillimi, sipas përcaktimeve të parashikuara nga neni 205 i Kodit të Procedurës Civile”.

Në vijim të këtyre argumentave, gjykata vendosi “ndalimin e palës së paditur (Tatimeve) të kryejë çdo lloj veprimi për zbatimin e masës së bllokimit të aktivitetit ekonomik të palës paditëse dhe pezullimin e zbatimit të kësaj mase, vendosur me akt konstatimin, datë 08.08.2019, si dhe heqja e shiritit dhe shenjave dalluese të bllokimit, deri në përfundimin e gjykimit të çështjes në themel”.

Qëndrimi i gjykatës shkaktoi reagimin e zv.kryeministrit Erion Braçe, të cilit, në fakt, vendimi i rrëzoi “kalanë e rërës” së ngritur me aksionin informalitet. /BoldNews.al

Aktualitet