Anti-Mafia23 Maj 2024, 17:12

Loja ‘tërhiqe mos e këput’ Rama-Berisha: a mund ta luftojnë korrupsionin të korruptuarit?

Shkruar nga Pamfleti
Loja ‘tërhiqe mos e këput’ Rama-Berisha: a mund ta
Rama-Berisha

 

Edhe në seancë plenare opozita mund të mos votojë rezolutën, por në fund ata do të dërgojnë anëtarë te komisioni. Kjo me argumentin se nuk mund ta lënë vetëm Ramën, se pastaj ka gjithë drejtësinë...

Konferenca e Kryetarëve ka vendosur të fusë në axhendën e punimeve rezolutën e famshme antikorrupsion, që propozoi Edi Rama pak javë më parë.

Teksa SPAK ka tronditur këto ditë gjithë elitën politike dhe të krimit, mazhoranca ka nxituar për të mos humbur asnjë minutë kohë me rezolutën, e cila në thelb kërkon të vendosë nën kontroll drejtësinë e re. Qëllimi është të ngrihet një komision ad hoc, me anëtarë të opozitës dhe mazhorancës, që do të kontrollojë të gjithë organet kushtetuese dhe të pavarura, përfshirë SPAK.

Drafti kaloi vetëm me votat e PS dhe plani është që në seancën plenare të 27 majit të bëhet miratimi i rezolutës. Mirëpo nga ajo që ndodhi, duket se ka ende dhe shumë pikëpyetje. Deputetët e opozitës nuk e dhanë votën e tyre. Madje pati dhe kritika.

Rezoluta që ju propozoni çon miratimin e ngritjes së një komisioni të posaçëm dhe disa elementë që ne mendojmë se kanë nevojë për një debat më të gjerë se sa debati në Kuvend. Kam dorëzuar disa ndryshime ligjore për të luftuar korrupsionin me ndryshime që i vijnë në ndihmë kësaj beteje dhe që u refuzuan nga PS. Mazhoranca i rrëzoi duke mohuar korrupsionin. Sot, qeveria pranon korrupsionin dhe mungesën e vullnetit politik. Ju kërkoni të krijoni një Komision AdHoc që merr funksione nga KKIE dhe pa asnjë argument”, tha Jorida Tabaku.

Por përtej zonjës Tabaku, në prapaskenë po gatuhet një pazar i pistëët. Edhe në seancën plenare opozita mund të mos votojë rezolutën, por në fund ata do të dërgojnë anëtarë te komisioni. Kjo me argumentin se nuk mund ta lënë vetëm Ramën, se pastaj ka gjithë drejtësinë. Pra kemi një lojë “tërhiq e mos e këput, ku Rama, Berisha, ndoshta dhe Meta do të bëhen bashkë për të goditur drejtësinë e re.

Normalisht lind pyetja, a mundet që të luftojnë korrupsionin të korruptuarit?

Sali Berisha është i sanksionuar nga SHBA dhe nën hetim nga SPAK për korrupsion, mirëpo besnikët e tij do të angazhohen në Komision për të luftuar korrupsionin. Edi Rama po hetohet për dosjen e famshme “McGonigal”. Për të mos shkuar më pas te pasuria, pasi që të dy janë kampionë. Te Meta nuk ka shumë fjalë, pasi për korrupsion është “nëna” dhe për pasuri nuk ja kalon kush.

Po ashtu, edhe deputetët që do të jenë anëtarë të këtij komisioni janë emra të përfolur për afera dhe që kanë pasuri sheikësh. Ka deputetë që janë në lupën e SPAK dhe angazhohen të luftojnë korrupsionin. A mund të ndodhë kjo? A mundet që të korruptuarit të na mbushin mendjen se ata do të godasin korrupsionin? /Pamfleti