Sport11 Maj 2018, 20:35

Armend Dallku nuk ka dilema: Shqipëria e Kosova të krijojnë kampionat të përbashkët

Shkruar nga Pamfleti
Armend Dallku nuk ka dilema: Shqipëria e Kosova të krijojnë

Armend Dallku nuk ka dilema: Shqipëria e Kosova të krijojnë kampionat të përbashkët

Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete shqiptare nga i njëjti komb. Ato kanë përfaqësueset e tyre dhe kampionatin e tyre, por ata që kanë luftuar për liri, si edhe vizionarët e bashkimit kombëtar duan një kampionat të përbashkët dhe një skuadër kombëtare. Ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Armend Dallku, i intervistuar nga “RTSH” ka folur për mundësinë e krijimit të një Lige Kombëtare, për përfaqësuesen e Kosovës, por edhe për mundësinë që të përfundojë karrierën te Prishtina. “Unë mendoj që do të ishte mirë të kishte një Ligë Ballkanike, por është e pamundur për vetë problemet politike që ekzistojnë për momentin në rajon.

Nëse do të ekzistonte një Ligë Ballkanike do të ngrihej edhe niveli i futbollit në Ballkan. Në Ballkan ka shumë ekipe të mira, pasi Kroacia ka shumë skuadra të forta, Shqipëria gjithashtu, por edhe Kosova. Liga Kombëtare Shqipëri-Kosovë? Pse jo. Do ta mirëprisnim me dëshirë. Duhet gjetur formula e duhur, ose të luhet si një turne. Kjo do të ishte gjë e mirë edhe për shkëmbim eksperience, sepse siç e dimë futbolli shqiptar është më para se ai kosovar.

Kombëtarja e Kosovës? Është një përfaqësuese e re dhe mendoj se kemi shumë futbollistë të mirë. Por kam qenë gjithnjë i mendimit që të kemi një kombëtare shqiptare shumë të fortë, që të përfaqësojmë gjithë shqiptarët sa më mirë. Por tani jemi në një realitet tjetër dhe djemtë nga Kosova kanë dëshirën dhe të drejtën e tyre për të përfaqësuar Kosovën.

Klubi i Prishtinës i fundit në karrierë? Pas një periudhe të gjatë në Ukrainë (12 vjet) ku kam kaluar eksperiencë shumë të mirë, kam vendosur të kthehem në Kosovë. Në fillim nuk e kisha menduar se do të isha pjesë e Prishtinës, sepse kisha plane të tjera. Por, pas disa bisedave me presidentin Ejupi vendosa të luaja për Prishtinën”, përfundoi Armend Dallku për mikrofonin e “RTSH”-së. /Pamfleti Sport

Sport