Arrestohet polici dhe avokati në Durrrës, merrnin 2000 euro ryshfet për ndërhyrje në Gjykatë

Një avokat dhe oficer policie janë vënë në pranga pas një hetimi disa mujor, për korrupsion. Siç njofton policia 40 vjeçari Devis Qana, avokat pranë Dhomës së Avokatisë Tiranë dhe 60 vjeçari Haki Dzli, punonjës policie në godinën e Gjykatës Durrës.



Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme ka ekzekutuar 2 urdhër ndalimet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për:

Inspektor Haki Dyli, 60 vjeç, punonjës policie me detyre trupë shërbimi në Sigurinë e godinës së Gjykatës Durrës; – Devis Qana, 40 vjeç, Avokat, pranë Dhomës së Avokatisë Tiranë.

Ndalimi i tyre u bë në kuadër të një procedimi penal nisur disa muaj më parë, për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm, ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Pas një hetimi me metoda speciale u dokumentua me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme. Të dy këta shtetas, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, u premtonin palëve në proces hetimi dhe gjykimi favorizim përmes ndikimit me forma anti-ligjore.

Në këmbim të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm te gjyqtarë e prokurorë, ata kërkonin shpërblime monetare që varionin deri në 2.000 euro. Hetimet po vijojnë për të zbardhur të tjera detaje.