Aktualitet24 Prill 2018, 07:32

Arta Marku dorëzon raportin në Kuvend, 124 zyrtarë nën hetim për korrupsion, 36 të tjerë në gjykatë për pastrim parash

Shkruar nga Pamfleti
Arta Marku dorëzon raportin në Kuvend, 124 zyrtarë nën hetim

Gjatë vitit 2017 prokuroria ka nisur hetim për 124 zyrtarë të dyshuar në afera korruptive. Në raportin e dërguar në Kuvend nga Prokuroria e Përgjithshme bëhet e ditur se në kuadër të luftës ndaj korrupsionit ka nisur procedimi penal për 12 zyrtarë të lartë, ku tre prej këtyre janë të zgjedhur vendore, ndërsa gjashtë prej tyre janë pjesë e sistemit të drejtësisë.

“Gjatë vitit 2017 janë filluar kryesisht 12 procedime penale, ku veçojmë 3 procedime penale për nenin 260 “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe 6 procedime penale për nenin 319/ç “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtë- sisë”, thuhet në raport.

Po ashtu, në raportin e prokurorisë thuhet se në kuadër të luftës kundër korrupsionit Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kryer hetimi të thella për plot 11 zyrtarë të lartë të sistemit të drejtësisë, të cilët janë përfshirë në korrupsion. Ndërkohë që në raport bëhet e ditur se në total institucioni i akuzës ka vënë nën hetim plot 124 zyrtarë të lartë si të dyshuar në afera korrupsioni. Madje, në raport thuhet se në krahasim me vitin 2016, gjatë vitit 2017 ka një rritje të procedimeve penale ndaj zyrtarëve të lartë që dyshohet se janë përfshirë në korrupsion.

“Nga prokuroria për Krime të Rënda janë kryer hetime proaktive në kuadër të 11 procedimeve penale për vepra të korrupsionit në sistemin e drejtësisë dhe korrupsionit të funksionarëve të lartë shtetërorë. Nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2017 ka patur një rritje prej 69,6% të numrit të procedimeve të regjistruara për veprat penale të korrupsionit, në krahasim me vitin 2016 dhe rritje prej 80,8% të procedimeve të dërguara në gjykatë në krahasim me vitin 2016.

Për vitin 2017 për veprën penale të parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, organi i prokurorisë ka regjistruar 124 procedime penale, që përbën rritje me 2,6 herë ose 163,8% në krahasim me vitin 2016. Janë dërguar në gjykatë 106 procedime penale, ndërsa në vitin 2016 rezultojnë 37 procedime të dërguara në gjykatë”, thuhet në raport.

Lufta kundër pastrimit të parave

Por përveç vënies nën hetim për 124 zyrtarë të lartë si të dyshuar për korrupsion, në raport evidentohet fakti se gjatë vitit 2017 është rritur numri i procedimeve penale të dërguar në gjykatë për pastrimin e parave. Në raport bëhet e ditur se nga 320 procedime penale për veprën e pastrimi të parave, 36 prej tyre janë dërguar në gjykatë “Gjatë vitit 2017 krahas rritjes së numrit të procedimeve penale të regjistruara, janë rritur edhe numri i procedimeve të dërguara në gjykatë për vepra penale që lidhen me pastrimin e parave.

Konkretisht, janë regjistruar 320 procedime penale dhe janë dërguar për gjykim 36 procedime penale për nenet 287, 287/a e 287/b të Kodit Penal. Procedimet e regjistruara për këtë vepër gjatë vitit 2017, rezultojnë me rritje prej 36% në krahasim me vitin 2016”, thuhet në raport. Ndërkohë në raport bëhet e ditur se falë teknikave të përgjimeve të autorizuara nga gjykata, prokuroria gjatë vitit 2017 ka arrestuar plot 475 persona të dyshuar në disa vepra të ndryshme penale si korrupsioni apo trafikimi i lëndëve narkotike.

“Gjatë vitit 2017 në saj të kësaj teknike hetimore është arritur në arrestimin/ndalimin e 475 personave të dyshuar për vrasje, trafikim të lëndëve narkotike, korrupsion, trafikim të armëve, e vepra të tjera, duke parandaluar kështu pasoja të rënda. Në disa raste të tjera, është mundësuar regjistrimi i procedimeve penale për veprën penale të korrupsionit të personave që kryejnë funksione publike”, thuhet në raportin e cituar nga “Sot”.

Aktualitet