Aktualitet15 Shtator 2019, 19:25

Arta Marku e Donika Prela mbrojnë mafien e Qazim Sejdinit, zhdukin kasetën e Suel Çelës që sulmoi policin

Shkruar nga Pamfleti
Arta Marku e Donika Prela mbrojnë mafien e Qazim Sejdinit, zhdukin

Arta Marku e Donika Prela mbrojnë mafien e Qazim Sejdinit, zhdukin kasetën e Suel Çelës që sulmoi policin

Prokuroria shqiptare në shërbim të qeverisë dhe të klaneve mafioze të saj, zhdukja e pamjeve të sulmit të bandës së “Lalës” ndaj zyrtarit të policisë, kompromenton rëndë dyshen drejtuese të organit të akuzës Marku-Prela. “Humbja” e DVD-së me pamjet e këtij krimi të Suel Çelës dhe Sokol Sanxhaktarit, me synimin për të manipuluar provat dhe nxjerrë të pafajshëm kriminelët. Ja si funksionon lidhja mes prokurorisë dhe mafias

Nëse ndokush ka besuar se me largimin e Adriatik Llallës nga posti i Prokurorit të Përgjithshëm do të marrin fund shërbimet ndaj pushtetarëve dhe lidhjeve të tyre me krimin, apo korrupsioni në drejtësi, tashmë ka mbetur i zhgënjyer.

Nëse shqiptarët besuan se me emërimin e Arta Markut në krye të organit të akuzës do të marrë fund “fjetja” e dosjeve të rënda të krimit në sirtaret e Prokurorisë, tashmë janë të bindur se jo vetëm që nuk do hapet asnjë dosje, por janë mbyllur të gjitha dosjet e reja të qeveritarëve.

Pas degjenerimit të dosjeve të përgjimit të blerjes së votës në Durrës dhe Dibër, nëse shqiptarët nuk janë të bindur se dyshja Marku-Prela ia kanë me të “futur” drejtësisë në favor të krimit, kryeministrit dhe oligarkëve të tij politikë, po sjellim një shembull tjetër të freskët.

Bëhet fjalë për zhdukjen e DVD-ve me pamjet e incidentit mes Marjus-Suel Çelës dhe policisë në hyrje të tregut Agro-Ushqimor të Elbasanit dy vjet më parë, të cilat nuk gjenden në organin e akuzës, detyra e të cilit është t’i gjejë provat dhe në “vrimë të miut” jo që të humbë ato që ka.

Për përplasjen e automjetit të numrit dy të Policisë së Elbasanit, Gjergji Oshafi dhe akuzën e tentativës së vrasjes së punonjësve të policisë, Krimet e Rënda kanë të dyshuar Suel Çelën, Klemend Xhaferrin dhe Enea Bekteshin, prapa të cilëve qëndron Sokol Sanxhaktari.

Lajmi është bërë i ditur në mënyrë jozyrtare, ndërsa prokuroria justifikohet se dosja në fjalë ka kaluar në disa prokurori, por që prej zhdukjes së pamjeve filmike nuk ka asnjë hetim nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme dhe asaj të Krimeve të Rënda.

Teksa prokuroria pret të shpallë pretencën për dosjen në fjalë, mungesa e pamjeve filmike e kompromenton rëndë organin e akuzës, duke qënë se kanë humbur pikërisht pamjet filmike që tregon se si Suel Çela godet makinën e numrit dy të policisë në Elbasan, pra prova kryesore.

Pavarësisht se gjykata deklaroi se i ka rekuperuar pamjet, me sa duket ky është një skenar i detajuar i prokurorisë dhe gjykatës për të fituar kohë dhe për të manipuluar provat.

Skandali i zhdukjes së pamjeve filmike nga dosja e prokurorisë është bërë me qëllim për të shpëtuar Suel Çelën dhe bandën e tij të krimit, ndërkohë që drejtësia e re mbetet të hetojë në kompleks këtë rast, pasi nuk bëhet fjalë thjeshtë dhe vetëm për një “humbje” të rastësishme.

E themi këtë duke parë se kush fshihet pas kësaj bande mafioze, e cila ka terrorizuar dhe terrorizon Elbasanin për vite me radhë, duke e kthyer këtë qytet në “nyjen” ku kryqëzohen të gjitha trafiqet e drogës, armëve dhe të “mishit të bardhë”.

Këtë nyje e komandon ish-kryetari socialist i bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini (Lala), i cili pavarësisht se nuk kandidoi për një mandat të ri në krye të kësaj njësie vendore, vijon me një intensitet akoma më të madh të komandojë fijet e krimit dhe trafikut në këtë qytet.

Përmes Suel Çelës dhe mbi të gjitha të dhëndrrit të tij Sokol Sanxhaktari dhe banditët e tjerë, Qazim Sejdini ka marrë peng qytetin e Elbasanit, duke u kthyer në një “padrino” i vërtetë në “kërthizë” të Shqipërisë.

Pavarësisht se kanë qënë dhe janë nën hetim për disa vepra kriminale, për pasuri të paligjshme dhe për krime ndaj policisë së shtetit, gjithnjë dhëndrri i “Lalës”, Sokol Sanxhaktari, Petrit Çela dhe djali i tij Marjus Suel Çela, ia kanë dalë të mbeten jashtë dyerve të burgut.

Skandali më i fundit i Prokurorisë që “zhduk” pa nam dhe nishan pamjet ku Suel Çela sulmon makinën e numrit dy të Policisë së Elbasanit, janë shembulli më i qartë se si funksionon kjo bandë mafioze, e cila ka mbrojtjen e kryeministrit Edi Rama dhe të Arta Markut e Donika Prelës./Pamfleti/

Kryesore Arta Marku e Donika Prela mbrojnë mafien e Qazim Sejdinit zhdukin kasetën e Suel Çelës që sulmoi policin